Vjosa Osmani: Raportet VV-LDK kanë pësuar dje goditje jashtëzakonisht të madhe

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur për raportet mes partisë së saj dhe Lëvizjes Vetëvendosje, pas zgjedhjes së Glauk Konjufcës së VV-së në postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Osmani ka thënë në emisionin ‘Pressing’, në televizionin T7, se ‘dje i ka ndodhur një goditje jashtëzakonisht e madhe relacioneve LDK-VV’.

Ajo po ashtu ka folur për rolin e saj, si ish-kandidate e LDK-së për kryeministre, në diskutimet mes dy partive për formimin e një koalicioni qeverisës, të udhëhequr nga Albin Kurti i VV-së.

‘Jam duke i realizuar premtimet që i kam dhënë para votuesve, para qytetarëve’, është shprehur ajo.

‘Në mes të protagonizmit mediatik dhe punës aty ku duhet, në tavolinën e negociatave, e kam zgjedhur këtë të dytën’, ka thënë Osmani.

‘Kam besuar që ky koalicion duhet të ndodhë. Kemi përgjegjësi të madhe që një koalicion i tillë duhet të realizohet’, ka deklaruar ajo. /Express

SHKARKO APP