Vjosa Osmani: Serbia ka bërë krime të llahtarshme. Dialogu ka rrëshqitur në çështje të brendshme
Presidentja në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani tha në intervistë me Ilva Taren në ”Euronews Albania”, se lufta e Ushtrisë Çlirimtare nuk mund të njolloset dhe se e vërteta për gjenocidet e Serbisë do të dalë shumë shpejt. E pyetur sesi e shihte përfundimin e procesit të gjykimit të ish-udhëheqësve të UÇK-së, Osmani tha se “nuk do të jetë proces i lehtë” mirëpo iu shmang komenteve direkte duke thënë se nuk i takon politikanëve të flasin për këtë pjesë.
Sipas Osmanit sjellja e udhëheqësve të Kosovës në raport me drejtësinë ka qenë e dinjitetshme dhe se kjo e ka ndihmuar vendin që të mbajë stabilitetin institucional përkundër sprovave të vazhdueshme që janë hasur. Presidentja në detyrë e Kosovës tha me bindje se nuk ka gjykatë dhe përpjekje që mundet ta njollosë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Osmani tha se në Kosovë kanë ndodhur gjenocide dhe për këtë duhet ngritur zëri vazhdimisht pasi Serbia po i fsheh krimet dhe ata që i kryen këto krime. ”Ajo që na takon ne është që të flasim për atë çka ka ndodhur në Kosovë dhe që Serbia ka kryer krime të llahtarshme dhe meriton të dënohet për të gjitha këto”,-tha më tej.
Presidentja ka cilësuar “rrëshqitje në tema të çështjeve të brendshme” mënyrën se si vijoi në dhjetë vite dialogu me Serbinë, “rrëshqitje” për të cilën sipas saj klasa politike tashmë ka marrë mësim. ”Në tërësi qëllimi ka qenë i njëjtë, pavarësisht se çfarë konsiderohet si mënyra më e drejtë apo më e mirë për t’i arritur ato. Këto lidhen kryesisht me procesin e integrimit, marrëdhëniet me Serbinë dhe në përgjithësi me politikën e jashtme. Edhe pse shpesh na është dashur kohë për të ardhur në një pikë të përbashkët të qëndrimeve, politika e Kosovës ka ditur kohë pas kohe t’i bashkojë këto qëndrime dhe të flasë në një zë për sa i përket konsolidimit të shtetit”,- tha Osmani.