Vjosa Osmani, votohet Kryetare e Kuvendit të Kosovës

Vjosa Osmani, kandidatja e LDK-së në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, është votuar në seancën e jashtëzakonshme, për të qenë kryetarja e Kuvendit të Kosovës. Pro Osmanit kanë votuar 65 deputetë. Osmani u propozua për këtë pozitë nga Vetëvendosje, vendim ky që erdhi pas marrëveshjes për bashkëqeverisje me LDK-në. Sakaq, qeveria e re e Kosovës me kryeministër Albin Kurtin u votua pasditen e sotme në Kuvend, me 66 vota pro.

Osmani në fjalimin e parë si kryetare e Kuvendit, ka thënë se për të është nder i madh të jetë në këtë pozitë. “Është nder i madh që të drejtoj Kuvendin e Kosovës, institucionin më të lartë përfaqësues dhe legjislativ për katër vitet e ardhshme. Natyrisht, përkundër faktit që kjo seancë po mbahet vonë në mbrëmje, dua t’i falënderoj të gjithë përfaqësuesit diplomatikë që ende po qëndrojnë me ne, të gjithë përfaqësuesit e mediave, që patën durimin e interesimin që të përcjellin gjithë ndërtimin e procesit të institucioneve të Kosovës. Falënderimi më i madh i takon secilit qytetar të Kosovës, që asnjëherë nuk rreshtën së besuari që vota e tyre do të sjell ndryshimin në Kosovë. Ndryshimin e shumë pritur”.

SHKARKO APP