VOA: Dështon referendumi për largimin e kryetarëve shqiptarë të komunave në veri të Kosovës
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha të dielën se nisma për largimin e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës, dështoi, meqë nuk pati vota të mjaftueshme në referendumin e bojkotuar nga pjesëtarët e komunitetit serb.
“Andaj konstatojmë se iniciativa qytetare për largimin e kryetarëve të komunave Leposaviç, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut ka dështuar”, tha kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Kreshnik Radoniqi.
Në orën 19 në veriun e Kosovës u mbyllen vendvotimet dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se në votime morën pjesë vetëm disa qindra veta nga rreth 46,500 votues të regjistruar.
“Në Komunën e Leposaviçit kanë votuar 124 votues apo 0.91 për qind e votuesve, në komunën e Zubin Potokut kanë votuar 18 votues apo 0.26 për qind, në komunën e Zveçanit nuk ka votuar asnjë votues dhe ne komunën e Mitrovicës së Veriut kanë votuar 111 votues apo 0.59 për qind e votuesve”, tha kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Kreshnik Radoniqi duke nënvizuar se nuk është arritur 50 për qind plus një i domosdoshëm për largimin e kryetarëve.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani shkroi në rrjetet sociale se Kosova i dha qytetarëve të komunave të veriut mundësinë që t’i largojnë kryetarët aktual dhe t’i zgjedhin kryetarët e rinj por qytetarët në masë të madhe nuk e shfrytëzuan këtë mundësi.
“Për fat të keq, kjo kryesisht ndodhi për shkak të presionit të Beogradit, të ekzekutuar nga Lista Serbe dhe strukturat ilegale kriminale. Edhe njëherë, Serbia kreu ndërhyrje të paligjshme në një proces zgjedhor të një shteti tjetër. Edhe njëherë, Vuçiçi shkeli fjalën që ua kishte dhënë partnerëve ndërkombëtarë”, tha presidentja Osmani duke nënvizuar se me organizimin e procesit të sotëm, Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara nga Bashkimi Evropian dhe bëri thirrje që masat kundër Kosovës të hiqen menjëherë.
Kryeministri Albin Kurti tha se rezultatet e votimit tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktual ndërsa akuzoi Beogradin për trysni ndaj qytetarëve serbë në veri të Kosovës. Ai bëri thirrje ndërkaq për largimin e masave nga Bashkimi Evropian.
“Mundësimi i shkarkimit të kryetarëve aktual dhe mbajtja e zgjedhjeve për shkarkim ishin kriter kyç për largimin e masave ndaj Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian”, tha ai.
Ambasada amerikane në Prishtinë tha se Shtetet e Bashkuara shprehin keqardhje që nuk u shfrytëzuan mjetet demokratike në votimin e së dielës për të çuar përpara demokracinë përfaqësuese.
Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, ambasada tha se “Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë e ndoqën këtë proces nga afër. Jemi në dijeni se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u bëri thirrje për pjesëmarrje të gjithë votuesve me të drejtë vote. Ne vlerësojmë përpjekjet e bëra nga zyrtarët zgjedhor të Kosovës për të lejuar të gjithë qytetarët e regjistruar në të katër komunat të marrin pjesë në këtë proces demokratik”, thuhet në reagim duke nënvizuar se kryetarët e komunave janë zgjedhur dhe mbeten të tillë, sipas kornizës ligjore të Kosovës.
Aktualisht Mitrovica e Veriut, Zubin Potoku, Leposaviçi dhe Zveçani, udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.
Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it.
Qeveria e Kosovës e cila u përball me masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian për shkak të tensioneve në veri, u pajtua të organizojë zgjedhje të reja, përmes një votimi për shkarkimin e kryetarëve aktual.
Në muajin janar qytetarët serbë në komunat veriore nënshkruan një peticion për shkarkimin e kryetarëve dhe pas kësaj Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpalli ditën e votimit për shkarkim.
Por, ndonëse mori pjesë në nënshkrimin e peticionit, Lista Serbe e themeluar dhe mbështetur nga Beogradi njoftoi me 7 prill se nuk do të marr pjesë në votime duke akuzuar kryeministrin Albin Kurti se po bën përpjekje të vazhdueshme që ky votim të dështojë. Lista tha se një ndër arsyet e mospjesëmarrjes është edhe fryrja e listës së votuesve, por pa ofruar ndonjë provë për këtë pretendim.
Lista Serbe përmes një deklarate të dielën mbrëma e quajti farsë e Albin Kurtit votimin për largimin e kryetarëve në veri të vendit. “Dita e sotme tregoi një shkallë të lartë të unitetit të popullit serb, i cili qëndroi ndaj vetvetes, por edhe dëshmoi se nuk është lista serbe dhe Serbia që po i frikësojnë serbët, por (Albin) Kurti dhe njësitë e tij ilegale parapolicore, gjë që rezultoi në rrugë të zbrazëta në veri të Kosovës”.
Pavarësisht situatës Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi vazhdimin e procesit dhe qytetarët mund të përgjigjeshin me “Po” ose “Jo” në pyetjen se a pajtohen që kryetari i komunës të shkarkohet.
Tani për tani është e paqartë se çfarë do të ndodhë pas dështimi të referendumit, meqë një i tillë nuk mund të organizohet para se të kenë kaluar 12 muaj.
Procesi i organizimit të zgjedhjeve të reja në veri ishte mbështetur nga perëndimi në përpjekje për uljen e tensioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që vazhdojnë të mbeten të larta.
Serbia reagoi me zemërim gjatë javës pasi Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësim në këtë organizatë. Beogradi është hedhur në fushatë për te penguar votimin në Këshillin e Ministrave të këtij mekanizmi në muajin maj. Të mërkurën autoritetet e Beogradit bllokuan nëpër vendkalimet kufitare për më shumë se 18 orë shumë udhëtarë nga Kosova që po ktheheshin në shtëpi nëpër territorin e Serbisë. Ndonëse Beogradi tha se nuk bëhej fjalë për pengim por “shtim të masave të sigurisë”, Prishtina akuzoi Serbinë për veprime hakmarrëse pas votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, dënuan cenimin e lëvizjes së lirë.
Më herët gjatë këtij muaji Lista Serbe, i bëri thirrje komunitetit serb ta bojkotojë regjistrimin e popullsisë që filloi me 5 prill.
Javën që vjen Kosova dhe Serbia do të mbajnë një raund të ri bisedimesh në Bruksel lidhur me përdorimin e dinarit në zonat e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb, një çështje që nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, por është mospajtimin e diplomatëve perëndimorë.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë vënë në përpjekje për të nxitur zbatimin e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, mes shqetësimeve për qëndrueshmërinë në rajon, pasi një oficer i policisë së Kosovës u vra me 24 shtator të vitit të kaluar nga një grup serbësh të armatosur në veri.
Bashkimi Evropian i ka paralajmëruar të dyja palët së dështimi për të normalizuar marrëdhëniet dëmton aspiratat e tyre për anëtarësim në bllok.
Në tetor të vitit të kaluar, udhëheqësit evropianë i kërkuan Beogradit të përmbushë të gjitha marrëveshjet që çojnë në njohjen “de facto” të Kosovës, ndërsa Prishtinës të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe./VOA/