Vrasja e Liridona Ademaj, familja e saj kërkon dënim kapital për Naim Murselin
Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është dëgjuar sot për herë të parë dëshmia e Leonard Ademajt, vëllait të Liridona Ademit, e cila u vra në mënyrë tragjike më 29 nëntor 2023 në fshatin Bërnicë të Prishtinës. Në këtë proces gjyqësor, i akuzuar për organizimin e vrasjes është bashkëshorti i saj, Naim Murseli.
Para trupit gjykues, Leonard Ademaj rrëfeu momentet e rënda kur mori lajmin për vrasjen e motrës së tij, duke treguar se ndodhej në punë kur bashkëshortja e informoi për ngjarjen. Ai përshkroi gjithashtu sjelljen e Naim Murselit pas krimit, duke theksuar se ky i fundit nuk kishte shfaqur interes për të parë trupin e Liridonës në morg.
“I kërkova që të shkonim bashkë në morg, por ai më tha se nuk na lejohej. Vetë mora spitalin në telefon dhe më konfirmuan se mund të shkonim. Kur shkuam, Naimi nuk hyri brenda, tha se kishte problem me zemrën dhe e pa vetëm nga dera”, tregoi Ademaj me emocion.
Gjatë dëshmisë së tij, Leonard Ademaj theksoi se qëndrimi i Naimit ishte i ftohtë dhe i distancuar, duke nënvizuar se pas vrasjes, ai kishte refuzuar të përballej me realitetin dhe të jepte ndihmën emocionale që familja priste.
Në fund të dëshmisë së tij, Leonard Ademaj kërkoi që Naim Murseli të dënohet me masën më të rëndë të mundshme: “Kërkoj dënimin kapital për Naimin”, deklaroi ai.
Seanca gjyqësore u tensionua edhe më shumë kur Naim Murseli kërkoi të bëjë një pyetje drejtpërdrejt për vëllain e viktimës, duke e pyetur nëse Liridona ishte ankuar ndonjëherë për raportet në martesë gjatë 13 viteve të bashkëjetesës.
Murseli iu referua gjithashtu dy motiveve të përmendura në aktakuzë – atë financiar, që lidhet me një sigurim jetësor, dhe një tjetër që sugjeron tradhti bashkëshortore nga ana e Liridonës – duke pyetur Leonardin se cilin motiv e konsideron më të besueshëm.
KOHA JONË SONDAZH

