VV pa aleatë? AAK thyen çdo mundësi bashkëpunimi
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka refuzuar kategorikisht mundësinë e një koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje (VV) për formimin e qeverisë së re, si dhe njofton se nuk do të votojë për Glauk Konjufcën si kryeministër.
Vetëvendosja dështoi të sigurojë shumicën më 26 tetor, kur Albin Kurti nuk mori mjaftueshëm vota në Kuvend për të formuar qeverinë.
Presidentja Vjosa Osmani i ka besuar mandatin Glauk Konjufcës, i propozuar nga Vetëvendosje, ndërsa afati për dorëzimin e listës së qeverisë pritet të skadojë së shpejti.
Megjithë ftesën për bashkëpunim nga Vetëvendosje, në takimin e sotëm AAK ka mbajtur qëndrim të prerë: nuk pranon koalicion dhe insiston që zgjedhjet e parakohshme janë rruga e vetme për zgjidhjen e krizës politike.
Sipas zëdhënësit të AAK-së, Kushtrim Xhemaili, partia refuzon jo vetëm koalicionin, por edhe çdo votë pro për Glauk Konjufcën apo një kandidat tjetër nga Vetëvendosja.
Në rast që Konjufca dështon edhe në tentimin e dytë për të siguruar 61 vota, Kushtetuta parashikon që brenda 40 ditëve të shpallen zgjedhje të reja.
KOHA JONË SONDAZH

