Zaev: “Mini Shengeni” është nismë autentike e jona, Shqipërisë dhe Serbisë

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka deklaruar se projekti i ‘Shengenit ballkanik’ është një nismë autentike e vendit të tij, Shqipërisë dhe Serbisë e ndarë nga Procesi i Berlinit.

Në një intervistë për Deutsche Welle, Zaev mbrojti projektin e debatuar të ‘Shengenit ballkanik’ mes Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut.

“Esenca e iniciativave të bashkëpunimit rajonal qëndron në kontributin tonë të përbashkët për realizimin e katër lirive të BE edhe në Ballkanin Perëndimor – lëvizja e lirë e njerëzve, e produkteve, e shërbimeve dhe kapitalit në rajonin tonë të përbashkët. Ne jemi të hapur për të gjitha iniciativat që synojnë nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe përshpejtojnë procesin e integrimit në BE për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.

“Ky është një proces autentik i vendit tonë, Shqipërisë dhe Serbisë, ne u bëjmë shpejt thirrje vendeve të tjera në rajon të na bashkohen. Iniciativa për bashkëpunim më të thellë rajonal nuk është pronë ekskluzive e askurrkujt apo një klub i mbyllur. Ne e kemi thënë nga fillimi, që ajo është e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Nëse shikoni më nga afër deklaratat e mia për këtë iniciativë, do të vëreni, se gjithmonë insistoj në atë që të përshpejtojmë bashkëpunimin. Po, gati të gjitha projektet janë të përfshira në CEFTA dhe Procesin e Berlinit, por ka një dallim të rëndësishëm. Tek CEFTA dhe Procesi i Berlinit, bashkëpunimi ynë është gjithmonë i mbështetur e monitoruar nga një vend anëtar i BE. Në këtë rast, kjo është iniciativë e jona, autentike dhe imediate për t’i përshpejtuar këto procese. Për shembull: Ne kemi rënë dakord dhe do të punojmë për të siguruar që njerëzit nga vende të treta jashtë rajonit, që duan të hyjnë në Serbi, Maqedoninë Veriore apo Shqipëri kur të kalojnë kufirin nuk kanë pse të kalojnë të gjitha formalitetet doganore në secilin kufi”.

Sa i përket Marrëveshjes së Prespës dhe nëse ajo rrezikohet në rast të humbjes së zgjedhjeve nga ana e partisë së tij, Zaev deklaroi se kjo nuk do të ndodhë, pasi falë saj, Maqedonia e Veriut dhe Greqia tashmë janë vende aleate.

“Marrëveshja e Prespës mbetet një marrëveshje historike mes dy vendeve tona. Çështja e hapur me Greqinë për emrin e vendit tonë ishte pengesë e pakapërcyeshme për integrimin euroatlantik të vendit. Marrëveshja e zhbllokoi perspektivën e anëtarësimit në BE dhe NATO. Ne ndërkohë jemi de facto vend anëtar i NATO-s. Falë Marrëveshjes së Prespës, Maqedonia Veriore dhe Greqia janë tani aleatë në aleancën më të fuqishme ushtarake të sigurisë. Në përputhje me standardet dhe kooperimin mes anëtarëve të NATO-s, Greqia është garantuese dhe mbrojtëse e sigurisë edhe e hapësirës sonë ajrore. Marrëveshja e Prespës është një miqësi afatgjatë, është marrëveshje e një aleance strategjike mes Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë”, u shpreh Zaev.

“Ne nuk do t’i humbasim zgjedhjet. Natyrisht, njerëzit në zgjedhje të lira marrin vendimin e tyre, por unë do të luftoj shumë fort dhe do të bëj të qartë se çfarë do të ndodhë, nëse regjimi rikthehet. Çdo gjë që kemi bërë në këto dy vite gjysmë, dhe kemi bërë shumë, do të hidhet poshtë. Ajo që paralajmëron opozita është kërcënimi, se do të anulojë Marrëveshjen e Prespës, që do të thotë, se vendi do të jetë i detyruar të përjashtohet nga NATO. Por një gjë është e qartë: Qytetarët që me shumicë mbështesin integrimin në NATO dhe BE nuk do të lejojnë që vendi të dalë nga rruga për të cilën kanë luftuar gjeneratat.”, shtoi Zaev.

SHKARKO APP