“Zëri Amerikës”: Maqedoni, pjesëmarrje e ulët. Çështja e emrit shkon në parlament

Nga “Zëri Amerikës”/

Kryeministri i Maqedonisë tha të dielën mbrëma se do të çojë në parlament çështjen e emrit të ri të vendit, ndonëse koalicioni i tij pranoi se referendumi dështoi të sigurojë një pjesëmarrje prej 50 për qind të votuesve që të quhej i suksesshëm.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve tha se rreth 36 përqind e elektoratit kanë votuar në referendumin për ndryshimin e emrit.

Që referendumi të shpallet i vlefshëm kërkohet pjesëmarrja e gjysmës së mbi 1 milion e tetëqind mijë votuesve të regjistruar.

Ndërkaq, mbi 90 përqind e votuesve janë shprehur pro ndryshimit të emrit.

Gjatë referendumit të së dielës për ndryshimin e emrit të vendit në Republika e Maqedonisë së Veriut u njoftua për incidente të vogla, pa ndikim mbi votimin.

Kryeministri Zoran Zaev pas mbylljes së kutive të votimit tha para gazetarëve në Shkup se qytetarët realizuan një proces të qetë dhe demokratik; se Maqedonia dhe qytetarët e saj dëshmuan se janë pjesë e familjes së shteteve dhe popujve evropianë.

“Ata votuan me dinjitet dhe të lirë. Secili qytetar që sot doli për të votuar solli vendimin e vet sipas bindjes personale. Referendumi është mjeti më i lartë demokratik në të cilin dalin ata që votojnë. Vota e tyre është përfundimtare ndërsa vullneti i qytetarëve është i paluhatshëm dhe duhet të respektohet nga të gjithë. Në demokraci vendimet merren me anë të votimit. I uroj të gjithë qytetarët! Sot patën sukses për demokracinë dhe sukses për Maqedoninë evropiane,” tha kryeministri Zaev në një paraqitje për median rreth gjysëm ore pas mbylljes së qendrave të votimit.

Por, partneri i koalicionit qeveritar, Bashkimi Demokratik për Integrim duket se e pranon mossuksesin e referendumit. Kryetari i partisë, Ali Ahmeti tha se “sot, qytetarët e vendit ia deleguan vendim-marrjen Kuvendit të Republikës së Maqedonisë dhe deputetëve të zgjedhur në zgjedhje legjitime dhe demokratike.”

Ndërkohë, kryetari i VMRO-DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickovski e quajti dështim referendumin ku qytetarët e Maqedonisë dolën fitimtarë, sipas tij.

Është i qartë disponimi i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë. Këtë betejë e fituan ata. Referendumi nuk pati sukses. Kjo është humbje e madhe për Zaevin dhe qeverinë e tij”, tha Mickovski në një konferencë për media, ndërkohë që i bëri thirrje kryeministrit të largohet nga posti “dhe të shkojë në pension afatgjatë”. Ai akuzoi për mbushje të paligjshme të kutive të votimit në komunat e Sarajit e Butelit në Shkup dhe në Strugë.

Struktura kundër referendumit dhe të afërta me Federatën ruse nuk pushuan gjatë fushatës për t’i bindur maqedonasit që ta bojkotonin atë.

Opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE, e cila e kundërshton marrëveshjen me Greqinë, ndonëse nuk bëri thirrje publike për bojkotimin e referendumit, në mënyrë të tërthortë ua pati bërë me dije përkrahësve të saj se referendumi bëhej në dëm të interesave shtetërore dhe kombëtare maqedonase.

Interesi i vëzhguesve dhe sidomos i medias së huaj ishte i dukshëm.

Ambasadori Jan Petersen, shef i misionit të vëzhguesve të Zyrës për Institucione Demokratike – ODIHR, vizitoi një qendër votimi në Shkup.

“Kemi pasur dhjetë ekipe të vëzhguesve afatgjatë për më shumë së një muaj këtu; ata kanë vëzhguar procedurat e tjera të organizimit zgjedhor, administratën, legjislaturën dhe gjendjen e medias”, tha ambasadori Petersen.

Misioni nesër pritet të bëjë vlerësimet e para për procesin e ditës së diel.

Në orët e paraditës është vërejtur një shkallë më e lartë e daljes së votuesve në komunën Qendër të Shkupit, ndërsa më e ulët në rajone rurale të Maqedonisë lindore, sipas njoftimeve të Komisionit Shtetror të Zgjedhjeve.

Në një qendër votimi në Shkup ka pasur një sulm ndaj policëve dhe kërcënime ndaj votuesve; Autoritetet e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve thanë se parregullsitë e raportuara janë të vogla dhe joserioze për të prishur procesin.

Maqedonia ka pak mbi 1 milionë e 800 mijë votues. Në mënyrë që referendumi të quhet i vlefshëm, gjysma e tyre duhet të dalin për të votuar. Pyetja në referendum ishte: A jeni për anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO duke përkrahur marrëveshjen në mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?/VOA/

SHKARKO APP