Zgjedhjet, 23 kandidatë me probleme me ligjin. Mes tyre Kurti

Nga 1280 kandidatë për deputetë që do të kërkojnë votën më 9 shkurt, 23 prej tyre kanë problem ligjore. ”Lëvizja Vetëvendosje ka gjithsej 14 kandidatë apo 12 për qind e listës së kësaj partie ka probleme me ligjin. Koalicioni AAK-NISMA ka 8 kandidatë ose 7.27% dhe LDK me një kandidat. Nga gjithsej 23 kandidatë që kanë probleme me ligjin 16 prej tyre janë duke u përball me aktakuza aktive, ndërsa 8 kandidatë janë të dënuar për vepra penale”, tha për A2 CNN, Burbbuqe Kastrati nga Lëvizja “FOL”.
Një individi i ndalohet të garojë në zgjedhje nëse është i dënuar me vendim të formës së prerë të gjykatës në tre vitet e fundit për vepër penale ose nëse ka mbajtur një ose më shumë burg efektiv. Në lidhje me programin e partive politike për drejtësinë, raporti gjen dallime të mëdha në qasjen dhe seriozitetin e tyre. Partitë kritikohen se nuk i referohen fare Strategjisë për Sundimin e Ligjit i miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Partitë më të mëdha premtojnë edhe ngritjen e prokurorive dhe gjykatave të reja që do të merren me çështje të veçanta pa treguar arsyen e qartë se pse është e nevojshme ose nëse mund të mbulohen nga gjykatat aktuale. Tek partitë e tjera programi i tyre për drejtësinë konsiderohet shumë i përgjithshëm.
Programet elektorale të partive kryesore adresojnë çështje si transparenca, qeverisja e mirë, administrate publike, barazia gjinore dhe të drejtat e njeriut, por shumica prej tyre nuk ofrojnë detaje të qarta mbi mekanizmat e zbatimit dhe burimet financiare të reformave të propozuara.