Zgjedhjet presidenciale në SHBA, Berisha: Biden ka një lidhje shpirtërore me Kosovën

Ish ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar dhe anëtari i Këshillit të ambasadorëve shqiptarë, Mal Berisha ishte i ftuar në Ditarin e A2 ku bëri një përmbledhje të procesit zgjedhor që u zhvillua në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadori Berisha bëri dhe një koment në lidhje se cili prej kandidatëve do të ishte më i mirë për interesat e shqiptarëve dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas Berishës, senatori dhe ish zv/presidenti Joe Biden ka një lidhje më të ngushtë me Kosovën kjo edhe për një çështje shpirtërore dhe familjare të tij.

“Raportet e senatorit Biden në lidhje me shqiptarët janë pozitive besoj se shumë shqiptarë e kanë parë deklaratën që ka dhënë në ligën shqiptaro-amerikane para shumë vitesh ku ka shprehu dashurinë dhe respektin e tij për popullin shqiptar, sidomos në Kosovë dhe angazhimin e tij për ta ndihmuar atë. Është një person që ka kaluar një jetë me një karrierë të jashtëzakonshme politike që nga 1972.

Para disa vjetësh ai ka humbur djalin e tij 42 vjeçar, i cili ishte prokuror i përgjithshëm i shtetit të Delaware dhe autoritetet e Kosovës i kanë venë emrin e djalit emrit të një rrugë në qendrën më të madhe ushtarake amerikane. Biden ka sjellë të gjithë familjen e tij kur ajo rrugë është inauguruar dhe ka lënë një amanet nipërve dhe mbesave për të vizituar këtë popull që ka përkujtuar djalin e ndjerë.

SHBA në fakt janë ato që e nxorën Kosovën nga tmerri i zgjedhës serbe, ndërhynë duke drejtuar forcat e NATO. Kosovën e lirë që shohim është falë kësaj ndërhyrje. Joe Biden ka qenë një ndër vendimmarrësit bashkë me Gillman, Hyde, Libermman, McCain. Kështu që ai ka një njohje dhe lidhje të shkëlqyer me Kosovën. Gjithashtu edhe për Shqipërinë ai ka njohje të plota pasi ka pasur takime me liderët shqiptarë sidomos në takimet e NATO”, u shpreh Mal Berisha.

SHKARKO APP