34-vjeçarja nënë e dy fëmijëve bën abort dhe humb jetën, Policia: Dy mjekë po hetohen
Aborti në Maternitetin e Elbasanit, i mori jetën 34-vjeçares Etleva Çullhaj, banuese në lagjen ”5 Maji”. E ndjera ishte nënë e dy fëmijëve të tjerë.
Pretendimet e spitalit janë që pacientja ka ardhur me shtatzëni të dëmtuar, fëmija ka qenë i pajetë, ndaj është bërë procedura e abortit. Pacientes i është kërkuar të qëndrojë në spital pas ndërhyrjes, por ajo ka kërkuar të largohet dhe është larguar.
Disa orë më pas ka pasur përkeqësim të shëndetit duke pësuar komplikacionet që i morën jetën. Spitali nuk prononcohet tani, në pritje të përcaktimit të shkakut të vdekjes nga ekspertiza mjekoligjore. Dy mjekët e spitalit të Elbasanit, Arben Paralloi dhe Behar Gjevori janë vënë nën hetim lidhur me këtë rast.
Njoftimi i plotë
Më datë 30.01.2023, rreth orës 12:00, një shtetase 34 vjeçe është paraqitur në ambientet e Maternitetit të Elbasanit, ka kryer një procedurë aborti dhe më pas është larguar në banesë.
Rreth orës 18:00 të së njëjtës ditë, dyshohet se për shkak të komplikimeve të gjendjes shëndetësore, kjo shtetase ka njoftuar shërbimet e ambulancës, të cilat e kanë transportuar atë në Maternitetin e Elbasanit, ku kjo shtetase ka humbur jetën.
Për këtë rast, oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan kanë iniciuar procedimin penal për shtetasit A.P, 56 vjeç dhe B.Gj, 60 vjeç, mjekë në Maternitetin e Elbasanit, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.