Aksident fatal në Tepelenë–Memaliaj, shoferi arrestohet
Policia e Gjirokastrës ka arrestuar një 42-vjeçar, i cili dyshohet se ka përplasur për vdekje një 40-vjeçar në aksin rrugor “Tepelenë–Memaliaj”. Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme, ndërsa viktima humbi jetën në vend si pasojë e plagëve të marra.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore, pas përfundimit të veprimeve procedurale, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A. J., 42 vjeç, banues në fshatin Veliqot. Ai dyshohet se, duke drejtuar automjetin e tij, ka përplasur këmbësorin B. B., 40 vjeç, banues në fshatin Memaj.
“ Në vijim të informacionit paraprak të dhënë për aksidentin e ndodhur në aksin rrugor ‘Tepelenë–Memaliaj’, bëjmë me dije se specialistët e Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin A. J., pasi dyshohet se ka përplasur me automjet shtetasin B. B., i cili për pasojë humbi jetën”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit.
Policia u bën thirrje drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të tregojnë kujdes të shtuar, për të shmangur aksidente me pasoja fatale.
KOHA JONË SONDAZH

