Aksident tragjik në autostradën Levan–Tepelenë, humb jetën një 16-vjeçar
Një aksident me pasojë vdekje ka ndodhur mbrëmjen e sotme në autostradën Levan–Tepelenë, në vendin e njohur si “Kryqëzimi i Cakranit”.
Dy automjete, një tip “Benz” dhe një tip “Peugeot”, janë përplasur me njëra-tjetrën dhe për pasojë ka humbur jetën në vendngjarje një 16-vjeçar, i identifikuar me inicialet O. M.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se, paraprakisht, dyshohet se viktima i ka prerë rrugën automjetit tip “Benz”, i cili po udhëtonte nga Poçemi në drejtim të Levanit, në momentin që 20-vjeçari po dilte në autostradë nga Cakrani.
Shërbimet e policisë dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për përcaktimin e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të këtij aksidenti me pasoja fatale.
Deklarata e policisë
Rreth orës 19:00, në aksin rrugor “Levan-Tepelenë”, në fshatin Cakran, automjeti me drejtues shtetasin S. B., 30 vjeç, është përplasur me automjetin me drejtues shtetasin e mitur O. M, rreth 16 vjeç.
Si pasojë e përplasjes shtetasi O. M, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spital.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.
KOHA JONË SONDAZH

