Atmosferë festive në Bashkinë Elbasan, dhurata dhe gëzim për fëmijët e punonjësve të administratës
Ambientet e Bashkisë Elbasan u mbushën me gëzim, dhe emocione festive, teksa u zhvillua aktiviteti tradicional i shpërndarjes së dhuratave të Vitit të Ri për fëmijët e punonjësve të administratës bashkiake. Nën kujdesin e kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, ky aktivitet i përvitshëm solli një atmosferë të ngrohtë feste, jo vetëm për më të vegjlit, por edhe për prindërit e tyre, të cilët punojnë çdo ditë në këtë institucion të rëndësishëm për qytetin.
Kryebashkiaku Llatja ishte i pranishëm në aktivitet, ku përshëndeti fëmijët, bisedoi me ta dhe u uroi një Vit të Ri të mbarë, plot shëndet, gëzim dhe mbarësi. Ai theksoi rëndësinë e këtyre aktiviteteve që forcojnë lidhjen njerëzore brenda institucionit.
Atmosfera festive u bë edhe më e veçantë me praninë e Babagjyshit të Vitit të Ri, i cili shpërndau dhurata për të gjithë fëmijët, duke sjellë entuziazëm dhe emocione për më të vegjlit.
Ky aktivitet është tashmë një traditë e përvitshme e Bashkisë Elbasan, e organizuar nga kryetari i bashkisë për fëmijët e punonjësve të administratës, si një shenjë vlerësimi për kontributin e prindërve dhe si një moment i bukur bashkimi familjar në prag të festave të fundvitit.

KOHA JONË SONDAZH

