Audio e Gardës për 21 Janarin, Hoxha: Mund të ndihmojë grupin e hetimit për të shkuar tek provat

Gazetari i njohur i kronikës, Artan Hoxha këtë të hënë u paraqit në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë për të dorëzuar një material audio, ku pretendohet se kreu i Gardës, Ndrea Prendi urdhëron vartësit tij të qëllojnë mbi protestuesit, nëse thyejnë perimetrin e sigurisë, në protestën e 21 Janarit.

Hoxha dha një prononcim për mediat, ku u shpreh se i mbetet hetuesve për të vlerësuar nëse ky material audio do të konsiderohet një indicie që të çon drejt 1 prove, apo mund të kualifikohet si provë që do të çojë në zbardhjen e 21 Janarit.

”Ajo që është fakt sot është se edhe 12 vite mbrapa, ne kemi 2 të vrarë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, Hekuran Dedën dhe Aleks Nikën, të cilët janë ekzekutuar para kamerave, para syve të gjithë botës dhe janë pa autor dhe ajo që duhet të jepet përgjigje nga ish-kryeministri i kohës, i cili vazhdon me variantin e vjetër që “Garda ka zbatuar ligjin për përdorimin e armëve”.

Ajo që unë kam nxjerrë së fundmi dëshmon që Garda jo vetëm nuk ka zbatuar ligjin, por ka ekzekutuar qytetarë të pafajshëm të këtij vendi me urdhër dhe ka ekzekutuar qytetarë që jo vetëm që nuk kanë qenë në territorin e Kryeministrisë, por kanë qenë përtej trotuarit, kanë qenë në krahun tjetër tek Kullat. Aleks Nika është ekzektuar tek Kullat, nuk ka qenë tek Kryeministria dhe as brenda në Bulevard”.

SHKARKO APP