Blushi: Asnjë masë për zbatimin e rekomandeve të Avokatit të Popullit mbi trajtimin e Metës në burg

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka paraqitur zyrtarisht kërkesë për interpelancë në Kuvend me Ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari. Ligjvënëse thotë se ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk kanë marrë asnjë masë për përmirësimin e kushteve dhe trajtimit të ish-presidentit Ilir Meta në burgun 313 në Tiranë, ku ndodhet prej më shumë se një viti si i paraburgosur nga SPAK, me vendim të GJKKO-së.

Deklarata e plotë

Prej datës 27 nëntor 2025, kur Avokati i Popullit i përcolli zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë, Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe IEPV “Jordan Misja” 9 rekomandime konkrete lidhur me shkelje tejet të rënda dhe sistematike të të drejtave të njeriut ndaj Z. Ilir Meta, nuk është ndërmarrë asnjë masë reale dhe efektive për përmirësimin e kushteve të tij të trajtimit dhe për ndalimin e praktikave çnjerëzore e degraduese.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ky mosveprim i qëllimshëm, në kundërshtim të hapur me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut dhe ligjin Nr. 81/2020, përbën një shkelje të rëndë të detyrimeve ligjore dhe ndërkombëtare të shtetit shqiptar dhe një precedent të rrezikshëm për çdo qytetar të privuar nga liria. Asnjë surprizë nga një regjim që e ka shndërruar sot Shqipërinë, në të vetmin vend anëtar të NATO-s, ku ka të burgosur politik.

Swiss Digital Mobile Reklama

Përballë këtij realiteti alarmant dhe në kushtet kur heshtja institucionale është shndërruar në bashkëpërgjegjësi, në emër të interesit publik dhe të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, jam i detyruar të ushtroj mjetet kushtetuese të kontrollit parlamentar. Për këtë arsye, bazuar në nenin 80, pika 1 të Kushtetutës dhe nenin 96 të Rregullores së Kuvendit, kam paraqitur zyrtarisht kërkesën për interpelancë me Ministrin e Drejtësisë, Z. Besfort Lamallari, me qëllim sqarimin publik dhe institucional mbi:

moszbatimin e rekomandimeve të Avokatit të Popullit;
mungesën e masave administrative, disiplinore dhe penale ndaj përgjegjësve;
dështimin për të garantuar sigurinë, dinjitetin njerëzor dhe të drejtat themelore të Z. Ilir Meta;
mungesën e mekanizmave efektivë të mbikëqyrjes dhe llogaridhënies në sistemin penitenciar.

Kjo nuk është një çështje politike, por një çështje themelore e shtetit të së drejtës. Beteja për respektimin e të drejtave të Z. Ilir Meta është një betejë për respektimin e të drejtave të çdo qytetari shqiptar dhe për funksionimin e një shteti që nuk përdor drejtësinë dhe burgjet si instrumente presioni politik. Vladimir Putin nuk ia mohoi kurrë Alexei Navalnyt lirinë e shprehjes. Edhe nga burgu në Arktik, ku më pas humbi jetën, Navalny fliste lirshëm për mediat, denonconte kushtet çnjerëzore të trajtimit dhe kritikonte hapur regjimin autoritar.

Në Shqipëri ndodh e kundërta, Ilir Meta, i izoluar në ekstrem në burg, është privuar nga e drejta për të komunikuar me mediat. Me urdhër të Edi Ramës, atij i është ndaluar liria e fjalës dhe është ndëshkuar dy herë vetëm pse arriti të komunikonte në mënyrë indirekte me gazetarët. Kur Tirana sillet më keq se Kremlini, çdo retorikë për integrim europian bie dhe shndërrohet në hipokrizi. Çdo ditë që kalon pa u zbatuar 9 rekomandimet e Avokatit të Popullit provon se ndalimi, hetimi dhe burgosja e Ilir Metës janë akte politike kriminale, të diktuara nga vullneti personal i Edi Ramës.

Respektimi i Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut nuk është opsion, por detyrim ligjor i panegociueshëm për Shqipërinë, si vend anëtar i Këshillit të Europës, i NATO-s dhe si vend kandidat për Bashkimin Europian. Beteja për lirinë e Ilir Metës është një betejë për liritë e të drejtat themelore dhe dinjitetin njerëzor të çdo qytetari shqiptar, për respektimin e KEDNJ, të Kushtetutës e ligjit. Përballë një drejtësie të politizuar dhe të kontrolluar nga pushteti dhe një shteti që funksionon si organizatë kriminale, nuk mbrohet thjesht një lider politik, por parimi se askush nuk duhet dhe nuk meriton të jetë viktimë e një sistemi të komanduar politikisht.

Kjo nuk është një betejë politike, por një luftë për demokraci, për shtetin e së drejtës dhe për Shqipërinë europiane që meritojmë. Kjo interpelancë është ushtrim i drejtpërdrejtë i kontrollit parlamentar, në shërbim të transparencës, llogaridhënies dhe interesit publik. Ndërkohë po sot, i jam drejtuar me një kërkesë për informacion edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Z. Klevis Qose lidhur me arsyet e mos zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit, duke i kujtuar se është në kufijtë e konsumimit të një vepre penale, për të cilën jemi duke përgatitur edhe një kallëzim penal ndaj tij.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?