Flet eksperti i sigurisë rrugore: Monopatinat të njihen si mjete, drejtuesit të kryejnë kurs disaditor
Marseda Qefalia/ Qarkullimi me monopatina në Tiranë prej disa kohësh është normalitet pasi i gjen në çdo rrugë. Shtimi i përdoruesve të këtyre mjeteve elektrike për të lëvizur, ka shtuar edhe rreziqet që vijnë nga mosrespektimi i rregullave të qarkullimit prej drejtuesve të tyre.
Nga një vëzhgim nëpër rrugët e kryeqytetit shihet se shumë përdorues të monopatinave nuk respektojnë korsitë e dedikuara për to dhe shpesh lëvizin në trotuar apo në korsitë e automjeteve, duke rritur rrezikun e aksidenteve.
Eksperti i sigurisë rrugore, Islam Qibini, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) shprehet se futja në qarkullim e monopatinave vitet e fundit, ka krijuar problematika jo të vogla në sigurinë rrugore.
“Ato kanë krijuar një qarkullim kaotik, jo normal, të pasigurtë për ata që i përdorin dhe për drejtuesit e mjeteve të tjera si dhe për këmbësorët për shkak të mosnjohjes dhe të moszbatimit të rregullave të qarkullimit rrugor”, tha Qibini.
Në ndryshimet e fundit të bëra në Kodin Rrugor në vitin 2023, monopatinat hynë në kategorinë e biçikletave dhe sipas ekspertit Qibini “akoma nuk ka një draftprojekt për mënyrën e përdorimit të monopatinave”.
Eksperti i sigurisë rrugore sugjeron se “së pari monopatinat duhet të klasifikohen si mjete sipas përcaktimeve të nenit 47 të Kodit Rrugor, pasi ato hyjnë midis biçikletës (mjet me pedal) dhe çiklomotorit”.
“Duhet të kenë një nr. identifikues, duhet të pajisen me librezë që të njihet se kush është pronar i monopatinës, të përcaktohet mosha e drejtuesit të monopatinës, dhe të shihet mundësia e një kursi disaditor për t’u trajnuar me rregullat e qarkullimit rrugor”, vijoi Qibini.
Sipas ekspertit, “duke parë statistikat e përfshirjes së tyre në aksidente me dëme materiale dhe shëndetësore është e nevojshme të pajisen me TPL, kontratë (policë) sigurimi me qëllim që çfarëdo dëmi që ato shkaktojnë të mbulohet nga kompanitë e sigurimit”.
Qibini theksoi se drejtuesit e monopatinave “duhet të qarkullojnë me kaskë mbrojtëse, dhe s’duhet të qarkullojnë dy persona në një monopatinë”.
“Drejtoria e Policisë Rrugore duhet të marrë nismën për hartimin e draftprojektit për përdorimin e monopatinave dhe skuterëve, duke tërhequr mendimin e ekspertëve të sigurisë rrugore, dhe DPSHTRR dhe të Autoritetit Rrugor”, theksoi Qibini.
I pyetur për rregullat bazë të qarkullimit që duhet të respektojnë drejtuesit e monopatinave në qytet, Qibini shprehet se “si gjithë përdoruesit e mjeteve të tjera, duhet të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor”.
“Së pari, duhet të qarkullojnë në kufirin ekstrem të djathtë të karrexhatës, të korsisë së djathtë, të respektojnë sinjalistikën e ndritshme, semaforët, të mos qarkullojnë kundra sensit të lëvizjes, të mos qarkullojnë mbi trotuar, të respektojnë këmbësorët kur ata kalojnë mbi vijat e bardha të kalimit të këmbësorëve, pra drejtuesit e monopatinave janë përdorues mjetesh, që duhet të zbatojnë të gjitha rregullat e qarkullimit rrugor si të gjithë drejtuesit e automjeteve”, u shpreh Qibini.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

