FOTO/ Babai i Ervis Martinajt kërkesë Gjykatës, kërkon shpalljen e djalit të tij si të zhdukur
Pas më shumë se tre vitesh pa asnjë informacion për fatin e Ervis Martinajt, i njohur si biznesmen dhe figurë qendrore në botën e lojërave të fatit, babai i tij, Mustafa Martinaj, ka kërkuar zyrtarisht shpalljen e djalit të zhdukur.
Kërkesa është depozituar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Lezhë, ku në shkresën zyrtare thuhet:“Shtetasi Mustafa Martinaj kërkon pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë shpalljen të zhdukur të shtetasit Ervis Martinaj, i datëlindjes 6.10.1982, lindur në Burrel dhe banues në Fushë-Kuqe, Patok, Kurbin. KËRKUES: Mustafa Martinaj.”
Kjo është hera e parë që familja Martinaj i drejtohet drejtësisë për ta formalizuar ligjërisht statusin e zhdukjes së Ervisit, pas një periudhe të gjatë pasigurie dhe hetimesh pa rezultat nga institucionet e rendit.
Një mister që vazhdon prej gushtit 2022
Ervis Martinaj u zhduk në gusht të vitit 2022, në rrethana ende të paqarta. Pavarësisht hetimeve të zgjeruara dhe deklaratave të shumta të policisë, asnjë provë konkrete për fatin e tij nuk është gjetur.
Çështja e zhdukjes së tij ka qenë një nga më të bujshmet në kronikën shqiptare, për shkak të ndikimit ekonomik dhe lidhjeve të dyshuara që ai kishte në sektorin e basteve dhe të lojërave të fatit, por edhe në rrethe të tjera të pushtetit.
Me kërkesën e fundit në gjykatë, familja e Martinajt duket se po kërkon një zgjidhje ligjore për statusin e tij, në mënyrë që të mund të vazhdojnë procedurat civile e pasurore që lidhen me trashëgiminë dhe pronat e tij.
Burime pranë gjykatës bëjnë me dije se kërkesa është regjistruar për shqyrtim në ditët në vijim, ndërsa vendimi i trupit gjykues do të përcaktojë nëse Ervis Martinaj do të shpallet zyrtarisht person i zhdukur.
KËRKUES Mustafa Martinaj.
KOHA JONË SONDAZH


