Investime të reja për Rajonin Nr. 2, kryebashkiaku Llatja zbulon projektet që po nisin në Elbasan

Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje vijon në Rajonin Nr. 2 të Bashkisë Elbasan, ku banorët patën mundësinë të shprehin prioritetet dhe nevojat e komunitetit të tyre.

Në këtë takim morën pjesë Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, dhe deputetja Aulona Bylykbashi, të cilët theksuan rëndësinë e përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje dhe në planifikimin e investimeve publike.

Kryetari Gledian Llatja bëri një përmbledhje të investimeve të realizuara dhe atyre në proces, duke përmendur ndërhyrjet në rrugë, kanalizime, sistemin e fasadave me kapot në pallate, ndërtimin e terreneve sportive dhe hapësirave të gjelbra, si edhe hapjen e qendrës së parë për të moshuarit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai gjithashtu njoftoi për projektet në zhvillim, duke theksuar se,

Swiss Digital Mobile Reklama

“ Shkolla ‘Onufri’, një shkollë e rikonstruktuar plotësisht, e cila ishte edhe një kërkesë e banorëve.
Në Rajonin Nr. 2 kemi bërë shumë punë të mira, si në qendër ashtu edhe në periferi. Kemi vijuar me sistemin e kapoteve në shumë pallate dhe do të vazhdojmë me investime të tjera. Formati i buxhetimit me pjesëmarrje është shumë i rëndësishëm, sepse u jep mundësi qytetarëve të votojnë prioritetet e tyre.”

Në vijim, Llatja shtoi se një nga projektet më të mëdha në zhvillim është krijimi i një hapësire të madhe sportive dhe rekreative, me një sipërfaqe prej 22 mijë metrash katrorë, ku ka nisur puna për ndërtimin e një projekti modern që do të përfshijë, dy fusha sportive (kalçeto, basketboll, volejboll, tenis), kënde lojërash dhe ambiente rekreative për fëmijë e të moshuar.

Kryebashkiaku bëri me dije se është gati projekti për rikonstruksionin e Markatës, i cili pritet të nisë së shpejti.

“Do të shohim mundësinë që vitin e ardhshëm, në bashkëpunim me qeverinë shqiptare ose përmes projekteve të ndryshme, ta financojmë këtë investim me vlerë të konsiderueshme. Markata duhet të kthehet në një qendër të fortë ekonomike për qytetin” u shpreh Llatja.

Deputetja Aulona Bylykbashi vlerësoi bashkëpunimin mes banorëve dhe përfaqësuesve të Bashkisë, duke theksuar se investimet e realizuara kanë përmirësuar ndjeshëm cilësinë e jetës në lagjet e Rajonit Nr. 2.

Gjatë takimit, banorët paraqitën disa kërkesa konkrete, për të cilat Kryetari Llatja siguroi se do të merren në konsideratë në planin e investimeve të ardhshme.

Është vënë re një pjesëmarrje e gjerë e qytetarëve, me një prani të madhe grash dhe vajzash, ç’ka tregon angazhimin e komunitetit në vendimmarrje.

Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje mbetet një praktikë e rëndësishme e Bashkisë Elbasan, që garanton transparencë, përfshirje qytetare dhe zhvillim të qëndrueshëm për çdo lagje të qytetit. LK

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?