Kreu i ri i Gardës së Republikës, shumë ”shefa” në garë
Gara për kreun e ri të Gardës së Republikës ka hyrë në një fazë të rëndësishme, me tre kandidatura të forta që kanë aplikuar pas hapjes zyrtare të procesit nga Ministria e Brendshme në muajin dhjetor.
Eksperti i sigurisë Faik Basha, ish-deputeti i Partisë Socialiste Denis Deliu dhe drejtori aktual i komanduar i Gardës, Simon Zereci, janë tre emrat e parë që kanë dorëzuar aplikimet e tyre. Mes kandidatëve nuk mungojnë edhe emra që kanë punuar më parë në këtë institucion, si Vasil Çuni, por edhe oficerë që punojnë aktualisht në gardë. Afati i fundit për aplikim ka përfunduar më 30 dhjetor 2025, ndërsa brenda 45 ditëve nga çelja e garës, komisioni i posaçëm i ngritur nga Ministria e Brendshme pritet të përzgjedhë drejtuesin e ri të këtij institucioni të rëndësishëm të sigurisë.
Pas dorëheqjes së Ermal Onuzit më 3 qershor të vitit 2025, Gardën e Republikës e drejton si drejtor i komanduar oficeri i karrierës, Simon Zereci. Ndërkohë, kandidatët vijnë me profile të ndryshme profesionale. Faik Basha njihet si ekspert sigurie me përvojë në Forcat e Armatosura, Policinë e Burgjeve dhe drejtimin e strukturave të sigurisë publike dhe private, si dhe me kontribute analitike në media.
Denis Deliu ka një karrierë të gjatë në forcat speciale, është trajnuar nga njësi elitare amerikane dhe ka shërbyer në Njësinë Speciale të Gardës, përfshirë eskortimin e Kryeministrit dhe Presidentit, si dhe në strukturat e Vetting-ut.
Simon Zereci ka mbi tre dekada eksperiencë në Gardë, pasi ka drejtuar Njësinë Speciale që prej vitit 2013 dhe ka ndjekur trajnime të specializuara brenda dhe jashtë vendit, duke u konsideruar një nga emrat më me përvojë brenda institucionit. Procesi pritet të përmbyllet në javët në vijim, ndërsa gara shihet si një test i rëndësishëm për drejtimin e ardhshëm të Gardës së Republikës.
KOHA JONË SONDAZH

