Kryetarja e Shoqatës së Avokatëve, Qeleshi: Sekuestrimi i telefonit të Bajramit përben shkelje të rëndë ligjore
Kryetarja e Shoqatës së Avokatëve Penalistë, Joana Qeleshi e cilësoi të paligjshëm arrestimin e avokatit Ulian Bajrami, duke theksuar se policia veproi pa urdhër të prokurorit dhe pa vendim gjykate. Ajo tha se sekuestrimi i celularit të një avokati pa vendim gjykate është shkelje e rëndë ligjore.
”Prokurori dhe avokati janë palë në proces, që do të thotë se mund të ketë debat profesional midis tyre. Në rastin konkret, aty është folur për këtë. Është thënë “do merrem personalisht”, dhe kjo është sqaruar, pas së cilës seanca ka vijuar normalisht. Nëse do të kishte pasur elementë të një vepre penale, prokurori do të duhej të kishte bërë kallëzim, por gjykata nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Të nesërmen, oficeri i policisë gjyqësore ka ndërmarrë veprime, por jo me urdhër të prokurorit. Gjykata, ashtu si në rastet kur konstaton një falsifikim në proces, e përcjell çështjen në prokurori për vlerësim. Debati në sallë është pjesë e procesit. Avokati ka detyrën e tij, prokurori ka qëndrimin e vet, ndërsa gjykata duhet të ruajë qetësinë dhe të menaxhojë çdo situatë tensioni.
Gjykata mund të ndërpresë seancën, të tërheqë vëmendjen e palëve, ose të marrë masa të tjera, por duhet të jetë e kujdesshme në përdorimin e gjuhës. Në debatet e gjalla, mund të ndodhë që dikush të thotë një fjalë më tepër pa dashje. Në parim, kjo mund të korrigjohet menjëherë personi tërhiqet, kërkon falje dhe seanca vazhdon. Nuk është diçka e jashtëzakonshme. Dhe ne u përpoqëm ta sqarojmë këtë edhe me prokurorin”,-tha e ftuar në ”Të Paekspozuarit” në MCN.
KOHA JONË SONDAZH

