Masakra në Fushë-Krujë me tre të vrarë, një polic ndihmoi autorët të largoheshin
Vrasja e Brilant Martinaj dhe dy miqve të tij, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata ishte një ndër ngjarjet më të bujshme të 2022. Një vrasje e cila tronditi thellë jo vetëm botën e krimit për nga rëndësia e saj, por që në vetvete paralajmëroi edhe fundin e një kapitulli, atë të mbretërimit të Ervis Martinajt.
Ishte mesdita e 17 korrikut 2022 kur në mbikalimin e Fushë-Krujës Brilant Martinaj dhe dy miqtë e tij u ekzekutuan egërsisht. Kjo ngjarje përbën një skandal më vete për personat që dyshohet se janë implikuar në të. Pas ekzekutimit të Brilant Martinajt, Besmir Hoxhës dhe Dikler Vatës, autorët u larguan të pashqetësuar nga vendngjarja, ndërkohë që skandal përbën akti se ata u fshehën nga një efektiv policie.
Gjithçka lindi pas dyshimeve që grupi hetues pati se pas autorëve të masakrës së Fushë-Krujës, fshihej dora e stërvitur e një punonjësi policie, të vetmit persona të aftë që mund të instruktojnë mjeshtërisht vrasësit, mbi pozicionin që ata duhet të mbajnë në një skenë krimi, por edhe se si të mos diktohen gjatë lëvizjeve të tyre.
Ky duket të jetë edhe rasti se si autorët mundën të kenë një bashkëpunim perfekt me strukturat e inkriminuara të policisë. Referuar gjithmonë dosjes hetimore, në rastin e ekzekutimit të Brilant Martinaj dhe miqve të tij, grupi hetues ka dyshime të forta se bashkëpunëtor në këtë ngjarje, të jetë një oficer policie.
Efektivi thuhet se ka ndihmuar agresorët të çajnë vetë rrethimin e policisë. Emisioni “Në Shënjestër” disponon identitetin e plotë të punonjësit të policisë, por që për arsye redaksionale dhe me qëllim për të mos dëmtuar hetimin e mëtejshëm të ngjarjes, do të përdorë vetëm inicialet e tij./bw/