Njëri u vetëvra, tjetrin e vranë? Gjenden të vdekur dy baballarët që u denoncuan të zhdukur
Lidhja mes Artur Buzhiqit dhe Gëzim Racakut, është se të dy u denoncuar të zhdukur në emisionet televizive në vend. 41-vjecari Artur Buzhiqi humbi kontaktet me familjen më 9 korrik, dhe trupi i pajetë u gjet në Fier, por familja ngre dyshimet se ai mund të jetë vrarë. Ndërsa paraditen e të mërkurës u gjet i dekompozuar trupi i pajetë i 50-vjeçarit Gëzim Racaku, i humbur që prej datës 5 korrik.
Artur Buzhiqi babai i tre fëmijëve u zhduk nga Ura e Dajlanit, dhe e motra Rajmonda Buzhiqi, ka ngritur dyshimet se i vëllai mund të jetë vrarë.
”Jam e sigurtë që e kanë vrarë, sepse Arturi gjithnjë ka dalë vetëm dhe është kthyer në shtëpi. Ai personi është shprehur se nëse do ta shihte Arturin do ta bënte për spital, sepse sipas tij i kishte rrahur vëllanë. Ai është peshkatar në Durrës dhe Arturi në Durrës ka humbur. Vëllai nuk ka qenë në atë gjëndje që të vriste veten”.
Kurse për zhdukjen e të ndjerit Racaku, denoncoi vajza e tij, e cila nuk e fshehu frikën që ndjeu në bisedën e fundit me të atin duke rrëfyer si e paralajmëroi ai ikjen e tij, pasi kishte kohë që vuante nga depresioni. Gëzimi jetonte bashkë me djalin dhe vajzën, që ditën kur bashkëshortja i la 18 vite më parë. Ky largim i papritur i gruas shkaktoi pasoja të rënda psikologjike tek Gëzimi, pasoja nga të cilat ai nuk mundi t’ia dilte.