Operacioni policor “Metalurgjiku” në Elbasan vë në pranga 16 persona, 9 prej tyre shtetas të huaj, 8 në kërkim

Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Metalurgjiku”, i ndjekur prej disa muajsh me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim dhe nën drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e krimeve kundër mjedisit.

Në njoftimin e Policisë thuhet se janë proceduar penalisht 2 subjekte juridike, “Për përgjegjësinë penale të personave juridikë”, të cilat ushtronin aktivitet të paligjshëm në përpunimin e mbetjeve dhe prodhimin e ferrokromit, duke shkaktuar ndotje të mjedisit.

Policia njofton se janë vënë në pranga 16 shtetas (9 prej tyre shtetas të huaj), me role drejtuese, teknike dhe punonjës, ndërsa u shpallën në kërkim 8 shtetas, aksionerë.

“Në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale kundër mjedisit, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, pas një hetimi disamujor të ndjekur me metoda speciale, finalizuan operacionin policor të koduar “Metalurgjiku””, thuhet në njoftim.

Swiss Digital Desktop Reklama

Si rezultat i operacionit u vunë në pranga 16 shtetasit, J. C., 64 vjeç, shtetas korean, E. F., 48 vjeç, banues në Elbasan, administratorë; B. A., 62 vjeç, E. B., 48 vjeç, të dy banues në Elbasan, drejtorë prodhimi; E. B., 51 vjeç, banues në Elbasan, A. R., 31 vjeç, shtetas indian, inxhinierë/drejtues teknik; R. P., 24 vjeç, S. P., 27 vjeç, D. K., 32 vjeç, R. Y., 38 vjeç, M. S., 43 vjeç, R. P., 24 vjeç, gjithë shtetas indianë, P. K., 32 vjeç, shtetas nepalez, J. K., 63 vjeç, D. Xh., 45 vjeç, të dy banues në Elbasan, përgjegjës turni/operator furre/punëtor; I. D., 60 vjeç, shefi i Sektorit të Mjedisit në Bashkinë Elbasan, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas Policisë Elbasan, u referuan materialet procedurale në Prokurori dhe u shpallën në kërkim shtetasit B. Z., 43 vjeç, D. K., 54 vjeç, F. M., 55 vjeç, Gj. B., 48 vjeç, A. Sh., 72 vjeç, S. O., 67 vjeç, I. L., 53 vjeç, A. K., 38 vjeç, aksionerë të subjekteve tregtare, për veprat penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”, “Fshehja e të ardhurave”, “Punësimi i paligjshëm” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim. Po punohet për kapjen e tyre.

Policia thekson në njoftim se nga hetimet intensive, si dhe inspektimet e kryera në bashkëpunim me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, ka rezultuar se dy subjekte tregtare, të cilat ushtronin aktivitet në zonën e ish-Metalurgjikut, Bradashesh, Elbasan, kanë shkelur legjislacionin mjedisor, duke ndotur ajrin, ujërat dhe tokën, si dhe duke mos respektuar rregullat për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe përpunimin e mbetjeve të baterive.

Gjithashtu, për shkeljet e konstatuara lidhur me menaxhimin e integruar të mbetjeve, gjatë inspektimeve u vendosën masat administrative si 3.000.000 lekë për një nga subjektet dhe 10.000.000 lekë për subjektin tjetër, si dhe u pezulluan aktivitetet e të dy subjekteve deri në përmbushjen e kërkesave ligjore. U sekuestruan celularë dhe DVR.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan për veprime të mëtejshme.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?