Përplasi të moshuarin në vijat e bardha dhe e kapi për fyti, shoqërohet 46-vjeçarja në Tiranë
Një 46-vjeçare e identifikuar si B.R., është shoqëruar në komisariat pasi përplasi të moshuarin në vijat e bardha. Pas kësaj, ka dalë nga makina dhe të dy po debatonin derisa shoferja e makinës tip ‘Benz’ e ka kapur nga fyti dhe e ka shtyrë.
Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Në lidhje me një video të postuar në portale, në të cilën shfaqet një shtetase që ka ndaluar automjetin në vija të bardha dhe nuk respekton rregullat e qarkullimit rrugor (mosdhënie përparësie këmbësorëve), ju sqarojmë se:
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për identifikimin e drejtueses së automjetit që shfaqet në video.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor kanë lokalizuar automjetin dhe kanë shoqëruar drejtuesen e tij, shtetases B. R., 46 vjeçe.
Në vijim të veprimeve u bë bllokimi i automjetit tip “Benz”, ndërsa për drejtuesen e automjetit u vendos masa administrative, në bazë të Kodit Rrugor, për mosdhënie përparësie këmbësorëve.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.