Policia Rrugore në Elbasan shton masat për menaxhimin e fluksit rrugor
Policia Rrugore e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan ka intensifikuar masat dhe ndodhet në gatishmëri të plotë për menaxhimin e qarkullimit rrugor, për shkak të fluksit të shtuar të automjeteve në akset kryesore që lidhin Tiranën me Korçën dhe Vlorën, si edhe në drejtim të kundërt.
Si pasojë e këtij fluksi, parashikohet trafik i rënduar dhe qarkullim i ngadalësuar në disa segmente rrugore. Patrulla shtesë janë vendosur në pikat me ngarkesë të lartë trafiku, me qëllim parandalimin e bllokimeve dhe garantimin e një qarkullimi sa më të rrjedhshëm dhe të sigurt për të gjithë përdoruesit e rrugës.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë drejt Vlorës dhe Gjirokastrës që, kur është e mundur, të përdorin rrugë alternative, për të shmangur vonesat dhe ngarkesën e lartë të trafikut. Drejtuesit e mjeteve ftohen të tregojnë durim, të respektojnë distancën e sigurisë, të qëndrojnë në radhë dhe të shmangin parakalimet e gabuara, të cilat mund të rrezikojnë sigurinë dhe të shkaktojnë bllokime apo aksidente.
Masat parandaluese kundër aksidenteve rrugore janë forcuar përmes monitorimit të akseve me automjete inteligjente, radarë automatikë dhe patrulla të lëvizshme, me synim rritjen e nivelit të sigurisë rrugore. Policia Rrugore u bën thirrje qytetarëve të zbatojnë rregullat e qarkullimit dhe udhëzimet e Policisë, si dhe të denoncojnë çdo shkelje në numrin pa pagesë 112.
KOHA JONË SONDAZH

