Rama: “Kamerat e qytetit, zgjidhja për pastërti dhe siguri në çdo lagje.”
Kryeministri Edi Rama u shpreh se, përtej rregullave të vendosura nga autoritetet, disiplina qytetare dhe përgjegjësia e bizneseve janë vendimtare për ruajtjen e pastërtisë në qytet.
Gjatë takimit të zhvilluar sot me banorë të Njësisë 3 në Tiranë, kryeministri iu përgjigj shqetësimit të një banori lidhur me mbeturinat dhe pastërtinë e qytetit, duke theksuar se pjesa më e madhe e ndotjes vjen nga vetë qytetarët dhe bizneset.
“Meqë u bë krahasim me qytetet evropiane, të gjithë kemi parë qytete të ndryshme. Ka qytete që janë shumë të pastra, dhe ka që nuk janë. Sepse aty ku gjithçka është pastër, nuk është vetëm puna e bashkisë, por edhe ndërgjegjja qytetare dhe respektimi i rregullave: oraret e hedhjes së mbetjeve, ndarja e tyre në burim, etj. Në këtë pikë, ne jemi ende shumë larg qyteteve evropiane,” tha Rama.
Kryeministri informoi se projekti i ri i kamerave, i cili do të nisë së shpejti, do të kontribuojë në sigurinë, pastërtinë dhe qetësinë e qytetarëve, duke përfshirë edhe mbrojtjen e fëmijëve në shkolla.
“Ne mund të bëjmë plane sa të duam, por zbatimi është çelësi. Projekti i kamerave është strategjik për sigurinë, pastërtinë dhe qetësinë e prindërve për fëmijët në shkolla. Kur sistemi të funksionojë, ai do të parandalojë në mënyrë efikase shkeljet e rregullave, qoftë ato të qarkullimit, qoftë ato të bashkëjetesës në lagje. Brenda këtij mandati do ta kemi këtë sistem,” shtoi ai.
Rama njoftoi gjithashtu se procesi burokratik për finalizimin e dokumentacionit ka zgjatur tetë muaj, ndërsa kompania emiratase që do të zhvillojë sistemin është një nga më të mirat në botë. Implementimi i plotë kërkon rreth 12 muaj, pas të cilit do të mund të monitorohen dhe planifikohen të gjitha masat e nevojshme për qytetin.
KOHA JONË SONDAZH

