Reportazh: Tre urat që të çonin në Grabovë
Rreth 100 kilometra në juglindje të Elbasanit, njësi e rrethit të Gramshit gjendet fshati Grabovë.
Të moshuarit të tregojnë se maces nuk i zinin këmbët dhe, por duke kaluar mbi çati nga njëri skaj i fshatit arrinte në skajin tjetër kufi me Shëna Premten ( fshat).
Si kufi ndarës mes Shëna Premtes dhe Grabovës , shërben një mal i lartë , i ndarë në dy copa duke krijuar në mes një portë natyrore gjigane mbi 500 metra të lartë dhe afro 100 metra të gjërë . Tregojnë se “porta” mes malit është krijuar nga eurozioni i ujit për mijra vjet.
Të ndara me rrugë të drejta lagjet e dikurshme të këtij fshati përbëheshin nga rreth 600 shtëpi.
Në qendër të fshatit ishte përqëndruar tregu dhe një mini industri ku përfshiheshin sharrat, prodhime nga nënproduktet e drurit, dërstilat dhe përpunimi i shajakeve e velencave. Po në qendër, me kontributin e vetë fshatarëve rreth vitit 1918 ishte ngritur një nga shkollat më moderne të vendit, e përbërë nga dy kate, me tavane të zbukuruar prej dërrase dhe me ambjente pune për nxënësit.
Në vitin 1945 po me kontributin e banorëve të Grabovës u ngrit hidrocentrali i parë që furnizonte me enrgji elektrike jo vetëm këtë fshat.
Për të hyrë në Grabovë duhet të kaloje njërën nga çdo tre ura që vinin nga drejtime të ndryshme prej Pogradecit, Elbasan – Gramsh dhe Beratit. Për këtë të djeshme të fshatit Grabovë na flet një nga ish banorët e saj Dhimitri. Çka mbetur sot nga Grabova e dikurshme?
“Vetëm rreth 60 familje e popullojnë këtë fshat që ngrihet në një terren malor, mes bukurive mahnitëse që i ka falur natyra. Mes ujërash që gurgullojnë në të katër stinët e vitit, pranë pyjeve halorë dhe mes kullotash të pasura të cilat mbarështrojnë mijëra e mijëra krerë të imtash.
Jo më kot Grabovarët shquhen si mjeshtra të përpunimit të nëprodukteve të qumështit dhe leshit. Gjen edhe sot në baxhot e këtij fshati përpunues të kaçkavallit të famshëm të dikurshëm”, thotë Dhimitri.
Cila qe arsyeja e një tkurrjeje të tillë të këtij fshati me përmasa disa herë më të mëdha se Gramshi i dikurshëm?
Kjo erdhi si rezultat i ngritjes së kooperativës bujqësore që i dha fund një herë e mirë inisiativës së lirë të mjeshtrave grabovarë. Dhe nga gjithë ato zeje të dikurshme mbeti si më e preferuara zeja e përpunimit të gurit dhe ndërtimit.
Ishte pikërisht ky zanat që i largoi grabovarët nga fshati i tyre, sepse ndërtimet kryesisht kërkoheshin me insistim në qytete. Edhe pse i tkurrur në krahasim me të djeshmen e largët, Grabova në këto vite të demokracisë të krijon përshtypjen se po e ndjek hap pas hapi atë të djeshme.
“Një hidrocentral i ri privat është ngritur në vend të atij të djeshmit. Përsëri kanë rifilluar punën sharrat e përpunimit të drurit, përsëri gjallërojnë dërstilat e dikurshme.
Dhe kësaj morie i janë shtuar edhe punishte të veçanta për prodhimin e mobilieve cilësore. Përsëri tufat e gjysmuara nga kolektivizimi kanë arritur të tejkalojnë numrin e dikurshëm dhe nën produktet e bollshme blektorale konkurojnë me sukses në tregjet e Korçës, Pogradecit, Gramshit e Beratit”, deklaron Dhimitri.
Fshati Grabovë është quajtur fshati i ujrave. I përmendur është veçanërisht një burim që del rrëzë një shkëmbi ujrat e të cilit përdoren për qëllime kurative.
Këto burime të shumta i shërbejnë jo vetëm ujitjes së tokave të fshatit por edhe kullotave. Edhe sot e kësaj dite amvisat grabovare e ruajntë të pacënuar mjeshtërinë e gatimit të bukës, në mënyrë të veçantë asaj që ka në përbërje edhe qiqrat. Në Grabovë përmenden edhe sot e kësaj dite me respekt, edhe pse në pjesën më të madhe të larguar, familjet Prifti, Nishku, Bardhi, Ziu, Paço, Kënuti, Buzo etj.
Në qendër të fshatit lulëzon një tregëti e veçantë për fshatrat malorë, ajo e prodhimeve blektorale e nënprodukteve të leshit dhe mishit, e nëprodukteve të drurit etj.
Në mënyrë të veçantë grabovarët shquhen edhe si mjeshtra të punimeve artistike në objektet e ndërtimit. Ky fshat i thellë malor, me një natyrë të mrekullueshme me ujëra të freskët e me një ajër transparent i ka të gjitha mundësitë për të tërhequr në gjirin e tij qindra e qindra pushues që preferojnë vendet malore./Miranda Sadiku

KOHA JONË SONDAZH

