Rolet dhe skenari në atentatin ndaj prokurorit Ndoja

Pas më shumë se 2 vitesh, zbardhet i plotë skenari për vrasjen e prokurorit Arjan Ndojës, që pas atentatit i vrarë mbeti shoferi i Ndojës, dhe ai vetë shpëtoi. Me urdhër të SPAK-ut, 5 persona janë arrestuar këtë të premte dhe u shpallën në kërkim edhe 4 të tjerë si të përfshirë në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja në nëntor 2019. Nga atentati gjeti vdekjen në spital shtetasi Andi Maloku, shoferi i prokurorit Ndoja, ndërsa ai vetë dhe Aleksandër Laho mbetën të plagosur.

Për këtë ngjarje janë arrestuar dhe janë marrë të pandehur Redjan Rraja dhe Ariol Halilaj, dhe ndaj tyre aktualisht po vijon gjykimi pranë Gjykatës së Posaçme, ndërsa janë veçuar aktet për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë që kanë marrë pjesë në këto ngjarje.

Të arrestuarit janë: Bashkim Haxhija, Marsel Deçkaj, Genti Ndërjaku, alias Kili Ndërjaku, Endrit Sinani, Juljan Pjetri dhe janë shpallur në kërkim 4 shtetas të tjerë, mes tyre edhe Ramazan Rraja, Plaurent Dervishaj dhe Julian Meçe.

Sipas SPAK, Dervishaj, Meçe dhe shtetasi tjetër i shpallur në kërkim me iniciale A.SH, kanë qenë bashkëpunëtorë të të pandehurve Redian Rraja dhe Ariol Halilaj, pasi ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se kanë marrë pjesë në atentat.

SPAK-u thotë se hetimet e këtij procedimi penal janë drejtuar nga 2 prokurorët e çështjes dhe veprimet hetimore janë kryer në bashkëpunim të ngushtë me Byronë Kombëtare të Hetimit, strukturat e Policisë së Shtetit, si dhe në koordinim të vazhdueshëm me disa nga agjencitë e huaja të zbatimit të ligjit dhe administrimin e disa prej akteve nga autoritetet franceze të drejtësisë në kuadër të ndihmës gjyqësore ndërkombëtare në fushën penale.

SHKARKO APP