Shoqëria nën presion, ekspertët: Nevojë urgjente për kujdes të shtuar të shëndetit mendor
Zemërimi i qytetarëve në shoqërinë tonë po përkthehet në sjellje ekstreme. Këtë fatkeqësisht po e tregojnë ngjarjet e ndodhura jo më larg se një ditë më parë, ku brenda ditës pati tre viktima. Psikologja Eksena Qirici shpjegon rëndësinë e krijimit të marrëdhënieve të shëndetshme ne jetën e përditshme dhe kujdesit që duhet të kemi ndaj njëri-tjetrit.
“Çfarë do të thotë të vrasësh brenda një dite në ambiente të ndryshme, ne familje, në ambientin e punës, në turizëm, në një lokal ku ti mendon se je në një situatë të qetë? Do të thotë që aspekti psikologjik, ngarkesa psikologjike, ngarkesat emocionale, kanë arritur në sistemin e mbijetesës. Po të dëgjojmë dhe të analizojmë me kujdes se çfarë autorët përmendim në arsyet e tyre të vrasjeve shihet që ka bullizëm, ka tallje, ka ofendim, ka dhunë dhe për më tepër është e vazhdueshme, është e hershme. Nëse ne në shoqëri, marrëdhënie pune, në familje, trajtojmë me dhunë psikologjike çdo lloj marrëdhënie, automatikisht kjo do të na sjellë në këto sjellje ekstreme”, thotë psikologja.
Qirici e sheh si një emergjencë nevojën e shoqërisë sonë për tu kujdesur për shëndetin mendor, që rrjedhimisht do të ndihmojë në menaxhimin më të mirë të situatave njerëzore. “Në të njëjtën mënyrë dhe kushte që ne shkojmë tek mjeku e njëjta nevojë është për shëndetin e mendjes sepse mëndja është struktura kryesore me të cilën njeriu vepron në jetën e përditshme, nëse ti nuk kujdesesh për të, automatikisht ajo do të japi këto pasoja por edhe më të rënda nëse mbetemi në frikën që të shkosh te psikologu ka të bëjë thjesht me çmendurinë dhe paaftësinë, se sa me një mirëmbajtje të mënyrës se si ti funksionon në jetën e përditshme”. Komunikimi është i domosdoshëm në funksionimin e një shoqërie të shëndetshme, që shmang dhunën dhe konfliktet i zgjidh me fjalë.
KOHA JONË SONDAZH

