Skandali me një të mitur, AMP pezullon nga detyra shefin e krimeve
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka pezulluar nga detyra këtë të premte shefin e Krimeve në Komisariatin e Përmetit, Dhurim Çenko i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”, në rastin e abuzimit seksual me një të mitur që u zbulua muajin e kaluar.
Sipas organit të akuzës, Çenko rezulton se ka qenë në dijeni të skandalit seksual me protagonistë dy efektivët e policisë së Përmetit, Pajtim Baka dhe Artur Ago, me këtë të fundit që kryente veprime të turpshme në video me një 16-vjeçare. Për rastin në fjalë, Gjykata e Shkallës së Parë në Gjirokastër ka caktuar masën e arrestit “burg pa afat” për Pajtim Baken, kolegun e Dhurim Çenkos dhe shpallur në kërkim policin tjetër të Komisariatit të Tepelenës, Artur Ago.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Vlorë -Gjirokastër) ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, e cila ka caktuar masën e sigurisë të karakterit ndalues “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” për punonjësin e policisë N/Komisar DH.Ç, me detyrë (në kohën e kryerjes së veprës penale) Shef Seksioni në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Përmet.
Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”. Ekzekutimi i urdhrit u bë në vijim të hetimeve të thelluara lidhur me procedimin penal të vitit 2025, ku gjatë marrjes së deklarimeve dhe veprimeve të tjera hetimore ka dyshime të arsyeshme për shkelje nga ana e oficerit të Policisë”, informon AMP.
KOHA JONË SONDAZH

