Tragjedi në Kuçovë/ 35-vjeçarja nga Lumas i jep fund jetës duke u vetëhelmuar
Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në fshatin Lumas, në bashkinë Kuçovë, ku një 35-vjeçare ka vendosur t’i japë fund jetës duke u vetëhelmuar me fostoksinë.
E ndjera, e identifikuar si A.Shuaipi, është gjetur pa shenja jete në dhomën e saj nga familjarët, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë dhe shërbimin mjekësor. Pavarësisht ndërhyrjes, gruaja kishte ndërruar jetë prej orësh.
Trupi i pajetë është transportuar në Morgun e Spitalit Rajonal të Beratit, ku pritet t’i kryhet autopsia mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Burime nga policia konfirmojnë se në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune, duke përjashtuar mundësinë e një veprimi kriminal.
Sipas deklaratave të familjarëve, 35-vjeçarja vuante prej vitesh nga probleme të shëndetit mendor dhe ishte në trajtim me medikamente. Ata shtojnë se ajo kishte tentuar edhe më parë të dëmtonte veten, ndërsa mendohet se këtë herë ka ndërmarrë aktin fatal në kushte të rënduara psikologjike.
Policia e Kuçovës po vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes tragjike.
KOHA JONË SONDAZH

