Tragjedi në Zakynthos, pit bulli i familjes i merr jetën fëmijës 18-muajsh
Një tragjedi ka ndodhur në Agios Leontas të Zakynthos, ku një fëmijë vetëm 18 muajsh ka humbur jetën pas një sulmi nga qeni i familjes, i racës pit bull. Ngjarja e rëndë u regjistrua kur vogëlushi ndodhej në oborrin e banesës së tij.
Sipas informacioneve, qeni sulmoi papritur fëmijën, duke i shkaktuar plagë fatale. Prindërit, të alarmuar, lajmëruan menjëherë ndihmën e shpejtë rreth orës 13:00, por përpjekjet ishin të kota. Fëmija mbërriti pa shenja jete në spital.
Familja, e përbërë nga babai me origjinë shqiptare dhe nëna britanike, ishte rezidente prej vitesh në ishullin grek. Komuniteti lokal është thellësisht i tronditur nga ngjarja.
Autoritetet lokale kanë nisur një hetim të plotë për të zbardhur rrethanat e sakta të këtij incidenti tragjik. Si pjesë e procedurës hetimore, prindërit e fëmijës janë marrë në pyetje dhe po mbahen nga policia për të dhënë dëshminë e tyre.
KOHA JONË SONDAZH

