Vrau çiftin e të moshuarve me sëpatë, ja cili është autori i ngjarjes së rëndë në Dropull
Thoma Mastora është identifikuar nga policia si autor i vrasjes së dyfishtë të çiftit të të moshuarve Ilia nga fshati Bodrishtë në Dropull të Gjirokastrës, ndërsa është publikuar edhe fotoja e tij.
69-vjeçari që kishte lidhje të ngushta prej vitesh me dy të moshuarit ka qenë i fundit person që i ka takuar.
Ngjarja e rëndë dyshohet të ketë ndodhur në orët e vona të drekës ose të pasdites së 30 prillit. Autori ka shkuar në banesën e të moshuarve si përherë për të pirë edhe kafen e ditës me ta.
Ndonëse nuk saktësohen nga policia, shkaqet mendohet të jenë për motive të dobëta, grindje të çastit. Prej kohësh 88-vjeçarja ankohej te të afërmit e saj se 69-vjeçari i shqetësonte me praninë e tij. Sipas policisë të moshuarit u gjetën me shenja plage të shkaktuara nga mjet i fortë prerës në kokë dhe në trup. Burime policore pohojnë se arma e krimit është një sëpatë e vogël.
Hetimet hedhin poshtë motivin e grabitjes duke qenë se në banesë nuk u konstatuan shenja të vjedhjes apo të krijohej bindja se autorët mund të kishin ushtruar kontroll me qëllim gjetjen e vlerave monetare apo sende me vlerë që mund të posedoheshin nga viktimat, ndërsa u zbulua nga policia një shumë e konsiderueshme parash, prej 5 milionë lekësh në banesën e të moshuarve.
BalkanWeb