Kryesimi i OSBE-së, Panariti: Si mund të predikojë Rama lirinë e shprehjes, shtypit dhe organizimin e zgjedhjeve të lira

Ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim Edmond Panariti shpreh bindjen e tij se marrja e kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria është një akt procedural i shembullit të keq.

Përmes një reagimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “facebook”, teksa rendit dhe arsyet pse asnjë nga të 57 vendet anëtare të kësaj organizate, nuk ka “situatë shqiptare”, ish-ministri Panariti shprehet se në qendër të misionit të kësaj organizate janë liria e shprehjes, shtypit dhe organizimi i zgjedhjeve të lira, pluraliste dhe demokratike.

Dhe në këtë kontekst, Panariti thekson se është e pamundur që autori i shembjes së këtyre parimeve, ministri i Jashtëm i Shqipërisë, që është kryeministri Edi Rama, të predikojë ruajtjen dhe zbatimin e këtyre parimeve dhe vlerave te të tjerët anëtarë të organizatës.

“Kryesimi i OSBE-së, nga Shqipëria mbetet një akt procedural i shembullit të keq! Asnjë nga të 57 vendet anëtare të kësaj organizate, nuk ka “situatë shqiptare”. Sepse asnjë nuk ka mungesë të gjykatave supreme (Kushtetuese dhe të Lartë), nuk ka parlament monopartiak, nuk ka votime me një parti, nuk ka raport të ODIHR-it të OSBE-së që i deligjitimon këto votime, nuk ka shtypje të fjalës së lire me ligj nën pretekstin e shpifjes. Vini re! Në qendër të misionit të kësaj organizate janë liria e shprehjes, shtypit dhe organizimi i zgjedhjeve të lira, pluraliste dhe demokratike. Tani përfytyroni ministrin e jashtëm tonin të predikojë ruajtjen dhe zbatimin e këtyre parimeve dhe vlerave te të tjerët anëtarë të organizatës!”, thekson në reagimin e tij, ish-deputeti i LSI-së, Edmond Panariti.

SHKARKO APP