Firmoset Marrëveshja mes PS dhe opozitës parlamentare

Arrihet marrëveshja për reformën zgjedhore mes maxhorancës dhe opozitës parlamentare. Draft-marrëveshja e plotë mes palëve, ku opozita parlamentare garanton se do të mbështesë ‘5 qershorin’ dhe do ta votojë në Kuvend në seancën e 23 korrikut.

“Mbështesin me votë në seancën plenare të Kuvendit të datës 23 Korrik 2020, Projekt-ligjin „Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 „Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë“, të ndryshuar, të miratuar me votat e shumicës parlamentare në Komisionin e Ligjeve, në respektim të Marrëveshjes datë 05.06.2020 ndërmjet Partisë Socialiste, opozitës jashtëparlamentare të përbërë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim si dhe deputetes Rudina Hajdari.”, thuhet ne marrëveshje. Në këtë marrëveshje, palët janë dakordësuar në 4 pika.

Ashtu siç ishte parashikuar, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, u takuan sot me krerët e grupeve parlamentare të opozitës. Takim nisi në orën 19:00 në Kryesinë e Kuvendit. Kujtojmë se prej disa ditësh në fokus të debatit politik janë ndryshimet kushtetuese, duke u bazuar tek marrëveshja e 5 qershorit.

MARRËVESHJE POLITIKE PËR “REFORMËN ZGJEDHORE”

Në Tiranë, në datë 21 Korrik 2020, palët e mëposhtme:

Pakica Parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, e përbërë nga:
i)Grupi Demokrat, përfaqësuar nga Z. Myslim Murrizi, në cilësinë e Kryetarit të Grupit;
ii)Grupi Demokraci dhe Drejtësi, përfaqësuar nga Z. Edmond Stojku në cilësinë e Kryetarit të Grupit;
iii)Grupi i Pavarur, përfaqësuar nga Z. Nimet Musai, në cilësinë e Kryetarit të Grupit,
dhe
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, në cilësinë e Shumicës Parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, përfaqësuar nga Kryetari i Grupit, Z. Taulant Balla,

Duke marrë në konsideratë dhe duke vlerësuar si shumë të rëndësishëm për forcimin e demokracisë dhe procesin e integrimit europian të Shqipwrisë:
1.Krijimin e premisave reale për zgjedhje të lira dhe të ndershme sipas standarteve më të mira të pranuara ndërkombëtarisht, ku zgjedhësit kanë mundësi të japin votën e tyre për kandidatët e parapëlqyer të subjektit politik;

2.Miratimin e Reformës Zgjedhore dhe adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODHIR me qëllim forcimin e besimit të qytetarëve te zgjedhjet;

3.Përmbushjen e kushtit të vendosur në takimin e Këshillit Europian të datës 25 Mars 2020 për miratimin e reformës zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimin e OSBE/ODHIR përpara konferencës së parë ndërqeveritare në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë me BE, prioriteti më madhor për ardhmërinë e vendit;

4.Dialogun gjithëpërfshirës ndërpartiak në proceset demokratike të vendit, ku reforma zgjedhore është prioritare,
Me mirëkuptim dhe vullnet të plotë, njëkohësisht angazhohen të:
1.Mbështesin me votë në seancën plenare të Kuvendit të datës 23 Korrik 2020, Projekt-ligjin „Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 „Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë“, të ndryshuar, të miratuar me votat e shumicës parlamentare në Komisionin e Ligjeve, në respektim të Marrëveshjes datë 05.06.2020 ndwrmjet Partisw Socialiste, opozitës jashtëparlamentare të përbërë nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim si dhe deputetes Rudina Hajdari.

2.Mbështesin me votë në seancën plenare të Kuvendit të datës 30 Korrik 2020, Projekt-ligjin „Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr.8417, datë 21.10.1988 „Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë“, të ndryshuar, miratuar me votat unanime të aëtarëve të Këshilli të Legjislacionit dhe Komisionit të Cështjeve Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtave të Njeriut të Kuvendit në mbledhjen e Përbashkët datë 14 Korrik 2020;

3.Vijojnë dialogun midis grupeve parlamentare si dhe të nxisin e mbështesin dialogun midis tyre dhe opozitës jashtëparlamentare, në një proces gjithëpërfshirës me synim arritjen e një dakordësie sa më të gjerë për reflektimin nw Kodin Zgjedhor tw amendamenteve kushtetuese që përmenden në pikën 2 më sipër.

Lexuar, pranuar dhe nënshkruar në Tiranë, më 21 Korrik, 2020 në 4 (katër) kopje.

GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË SOCIALISTE                GRUPI DEMOKRAT
TAULANT BALLA                                                                MYSLIM MURRIZI

GRUPI DEMOKRACI DHE DREJTËSI GRUPI I PAVARUR
EDMOND STOJKU                                NIMET MUSAI

SHKARKO APP