130.5 milionë euro “prapambetje” për gjyqtarët, Rama reagon pas vendimit të Gjykatës
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për vendimin e Gjykatës Administrative lidhur me pagat e gjyqtarëve, duke e cilësuar atë si një vendimmarrje të pazakontë.
Përmes një postimi në platformën “X”, Rama thotë se vendimi nuk parashikon vetëm rritjen e menjëhershme të pagave të gjyqtarëve me 51%, por edhe pagesën e shumave të prapambetura që nga prilli i vitit 2023.
Sipas kryeministrit, nëse kjo kërkesë do të zbatohej, detyrimet e prapambetura do të arrinin në rreth 130.5 milionë euro. Rama shprehet kritik ndaj mënyrës se si është marrë vendimi dhe ngre pikëpyetje mbi bazën e tij ligjore.
Ai ironizon vendimmarrjen e Gjykatës Administrative, duke e cilësuar si një rast të pazakontë dhe duke argumentuar se gjyqtarët kërkojnë jo vetëm rritjen e pagave në të tashmen, por edhe kompensimin për një periudhë të mëparshme.
Rama publikon gjithashtu një tabelë ku, sipas tij, paraqiten shumat që do të përfitonte secili gjyqtar nëse do të zbatohej kërkesa për pagesat e prapambetura.
Kryeministri deklaron se një pagesë e tillë do të kërkonte që Ministria e Financave të vepronte në kundërshtim me ligjin, duke e cilësuar vendimin si “ekstra-parlamentar”.
KOHA JONË SONDAZH

