22 korriku i Edi Ramës

Data 21 korrik është caktuar si data që duhet votuar Reforma në Drejtësi. Por e nesërmja, nëse nuk votohet për fajin e dyshes Rama-Basha atëhëre natyrisht që vjen data 22 korrik. Por 22 korriku ka tjetër skemë në parlament  në mazhorancën e re ku informacionet janë se emri i kryeministrit të ri është gati. Ndaj duke e ditur mirë skemën ambasadori Lu po bën çmos të votohet Reforma. Edhe për karriken e Edi Ramës.  Por kryeministri vazhdon batutat dhe ka një tjetër strategji, ndryshe nga Lu dhe Meta. Ai synon dështimin duke punuar për “votimin” në mënyrë që të shkojë për 45 ditë në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Si taktikë elektorale duket përfekte për karriken e tij dhe të PS-së, pasi ka humbur shumë elektorat në këto tre vite. Nëse shkon pas një viti rrudhja e votave do jetë katastrofike. Prandaj Rama luan teatër politik dhe mbetet mjeshtër për t’ia lenë fajin të tjerëve.

Presioni i ambasadorit amerikan Donald Lu ditën e premte duket se nuk ka dhënë efekt te kreu i PD-së Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama. Apelit me nota kërcënuese të diplomatit që dy krerët e partive të mbylleshin në një dhomë deri sa të arrinin marrëveshje, Basha dhe Rama i janë përgjigjur me letra virtuale nga Facebook. Si dy të rinjë të dashuruar pas Facebook, porse asnjë komunikim zyrtar. Ka një kanal të fshehtë Edi Rama që përdor sekretarin e përgjithshëm të kryeministrisë Agaçin i cili shkemben sms apo vendtakime me Bylykbashin, duke anashkaluar Fatmir Xhafën, porse mbi kanalet e tyre është Berisha, i cili kontrollon jo vetëm këto kanale, porse edhe kur marrin frymë në PD. E tha me shaka Rama se duhet edhe Saliu të mbyllet në “dhomën e Lu”, pasi Berisha ka folur hapur për Vetingun. E ka thënë  Berisha dhe i qëndron bindjes së tij.

Kryeministri Edi Rama, në një letër të gjatë të shkruar dje përsëriste gjithë qëndrimet e diplomatëve të SHBA dhe BE dhe i kujtonte Bashës së data e votimit po afron dhe nuk ka më kohë. Lidhur me çështjen konkrete sesi mund të arrihej konsensusit, Rama përsërit të njëjtin argument që ka dhënë gjithë kësaj jave. “Çdo propozim duhet të jetë i pranueshëm për aleatët tanë strategjike, SHBA/BE. E ndërkohë që propozimin Tuaj të fundit ata e kanë rrëzuar edhe publikisht, mbetem me padurim në pritje të një reagimi konstruktiv nga ana Juaj”,- shkruan Rama.

Dhe përgjigja e kreut të PD-së nuk ka vonuar. Në një reagim në rrjetet sociale, Basha i kujton kreut të qeverisë se nuk është koha e letrave publike dhe as e “talljes e manovrave politike”.  Ashtu si Rama, edhe Basha thotë se nuk ka më kohë, ndaj i kërkon kreut të qeverisë që të autorizojë negociatorët për të gjetur konsensusin. “Propozimi ynë bazohet 100% tek rekomandimet e Venecias të cilat PD dhe PS i kanë pranuar si udhërrëfyesin e vetëm. Autorizo negociatorët e PS ti rikthehen negociatave për zgjidhje. Negociatorët e PD janë, siç e dini, të gatshëm qe sot”,- shkruan Basha.

Në qëndrimin e tij, kreu i PD-së nuk i jep përgjigje kryeministrit nëse do të takohen të hënën. Njëkohësisht letra e Bashës për kreun e qeverisë është dhe një përgjigje për ambasadorin e SHBA-ve, Donald Lu. Basha i lë negociatat në dorë të ekspertëve dhe përfaqësuesve të dy partive politike. Gjë që do të thotë se konsensusi mes palëve është ende larg, pasi e di mirë lojën e kryeministrit si mjeshtër i fasadës-takim dhe me pas ia lë dopiogjashtën opozitës. Në këtë pikë mbetet mjeshtër Rama.

Aktualisht palët kanë mbetur vetëm në rolin që duhet të kenë ndërkombëtarët në procesin e përzgjedhjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve të institucioneve kryesore të drejtësisë. Sipas variantit të paraqitur nga PS, por edhe në variantin e fundit që është propozuar nga SHBA dhe BE thuhet që ndërkombëtarët (Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit) shqyrton kandidatët dhe verifikon aftësitë profesionale, integritetin moral dhe pasuritë e tyre. Paneli i ndërkombëtarëve ka të drejtë të heq nga lista kandidatët e papërshtatshëm që rezultojnë me probleme.

Ndërsa varianti i fundit që ka prezantuar Partia Demokratike dhe ekspertët e saj u heq ndërkombëtarëve kompetencën e eliminimit nga lista të kandidatëve. Sipas PD, vëzhguesit e Operacioni Ndërkombëtar të Monitorimit kanë të drejtë të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit të kandidatëve pa asnjë kufizim. Gjithashtu ata kanë liri të plotë te çdo dokumentacioni dhe në fund ekspertët e huaj duhet t’i dorëzojë Kuvendit një raport të detajuar me vlerësimin për secilën kandidaturë të juristëve. Më pas, Kuvendi kalon për votim vetëm kandidaturat që rezultojnë të pastra nga verifikimi i ndërkombëtarëve. Pra për demokratët, ndërkombëtarët kanë të drejtë të sugjerojnë dhe rekomandimet e tyre ti kalohen Kuvendit para votimit, por jo të heqin nga gara kandidatë që në nisje të procesit. Garancia që jep PD-ja në këtë proces është se Kuvendi do të kalojë për votim vetëm ata kandidatë të cilët dalin pa asnjë njollë nga procesi i kontrollit të ndërkombëtarëve. Dhe nuk duket keq kjo gjë e PD-së.

Ambasadori i SHBA u dha një mundësi për t’u mbyllur në një dhomë deri sa të arrihet një konsensus. Por Basha, të paktën deri dje, nuk e ka pranuar idenë e takimit vetëm për vetëm me Ramën. Kjo duket edhe për faktin se kryeministri e ka pranuar se nuk ka më çfarë të negociojë. Pra i ka thënë PD-së se hajdeni të flasim, por prapë do kthehemi aty ku ishim!

Rama ka tjetër hall, sepse përplasjen me Reformën ia ka lënë Donald Lu. Kryeministri ka frikën se brenda mazhorancës  mundet t’i heqin karriken e kryeministrit me datë 21 korrik. I do zgjedhjet e parakohshme, sepse pas një viti do të jetë shpartalluar qeverisja, ndaj synon që reforma të mos kalojë duke ua lenë fajin të tjerëve. Dhe në zgjedhje ai endërron të shkojë si Erdogani që tund puçin e shtetit dhe po bën raprezalje ndër gjyqtarër e kundërshtarë. Edhe Rama do të tund “puçin e shtetit” që do t’i bëjnë PD dhe një pjesë e mazhorancës për të marrë mbështetje popullore.

Por ka një skemë “D”, e cila po qëse se Rama dhe Basha nuk bien dakort me konsensus, atëhere me 22 korrik lind tjetër kryeministër nga rradhët e shumicës së re në parlament.

Duket se kryeministri do të jetë i PS-së. Por jo nga Rilindja!

Spiten Prulli

 

SHKARKO APP