26 maji miting për të rrëzuar Qeverinë apo për pazar të ri me Ramën?
-Me 26 maji a do ta rrëzojë qeverinë e PS-së apo po përdor popullin opozitar për të përsëri në një qeveri të përbashkët PS-PD me gjoja justifikimin “për integrimin e Shqipërisë”?
Me 18 maj 2017, në mesnatë dhe vetëm, Edi Rama dhe Lulzim Basha mbyllen “dashurinë” e parë mes tyre, e cila rezultoi një “pllenim-dështim” për Partinë Demokratike, ku në zgjedhjet e qershorit demokratët e Bashës morën rezultatin më katastrofik të historisë së partisë së tyre.
Një ditë pas “pllenimit” PS-PD, pra fiks me 19 maj, filloi zbatimi i marrëveshjës. Edhe para një viti, për të shkuar në “dashuri”, të dy shanë e luftuan njeri-tjetrin, thirrën turma që më pas i përdoren për të ndarë thelat e pushtetit.
Pak rikujtesë për ata që kanë harruar si erdhi raporti dashuror politik mes kryeministrit Rama dhe kryetarit të PD, Basha. Para datës 17 maji 2017 Lulzim Basha ishte në Çadër, mu para zyrës së kryeministrit Rama dhe përbetohej se “do ta rrëzonte me popull dhe se nuk futej në zgjedhje me këtë kryeministër të krimit e drogës”. Bërtiste nëpër media se “kjo është qeveria e krimit”, u kërkonte partive aleate që të mos shkojnë në oborrin e Edi Ramës, pasi sa të jem në krye të selisë blu, nuk ka asnjë takim apo marrëveshje me “kryekriminelin Rama”. Por, papritur, në darkën e 17 majit Lulzim Basha e la popullin në Çadrën e Lirisë dhe ul këmbëkryq të sofra e qeverisë, duke hyrë në qeveri PS-PD, e cila ishte skandaloze dhe pazarbërëse. Atë natë u takuan Basha dhe Rama duke krijuar precendentin e parë të një pazari misterioz, i cili edhe sot nuk dihet realisht se çfarë pazari bënë atë të dy, në atë dhomë fshehur nga bota. Ka ndodhur edhe më parë takim mes PD dhe PS, por ka qenë i hapur dhe pa pazare. Dihet tashmë takimi Majko-Meta-Berisha, në prani të mediave dhe transparentë, ndërsa dyshimet mbeten të arësyeshme nga publiku e sidomos demokratët se mos përdorën përsëri për një qeveri të re të përbashkët Rama-Basha pas Samitit të fundqershorit. Ndaj edhe protesta e datës 26 maj po shikohet me skepticizëm nga opozita e cila dyshon se mos do ti përdor Lulzim Basha për të detyruar Edi Ramën për një qeveri të përbashkët gjoja “për Inegrimin e Shqipërisë”. Demokratët shpresojnë që të mos vazhdojë, fshehur, ky pazar shkatërrues për PD-në dhe demokracinë.
Me 26 maj Lulzim Basha deklaroi se do të rrëzojë qeverinë e krimit dhe të Edi Ramës. Nëse e arrin këtë gjë, kryetari i PD-së mund të hyjë në histori si i pari kryetar demokratësh që rrëzon një qeveri me një protestë. Por nëse e luan lojën mjeshtërisht që pas mitingut të datës 26 maji të ulet prapë me Edi Ramën për një qeveri të përbashkët me afat tre vjeçar, atëhere “dashuria” mes tyre paska qenë e fshehtë, e zjarrtë dhe fitimprurëse për të dyja palët.