Prokuroria: 12 vite burg për Saimir Tahirin

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 12 vite burg për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri. Pretenca e tre prokurorëve të Prokurorise së Krimeve të Rënda, Arenc Çela, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara është dhënë në seancën e zhvilluar ditën e sotme.

Prokurorët kanë ngritur tre akuza ndaj tij. Ish-ministri i Brendshëm, Tahiri së bashku me Jaeld Celën, ish-drejtor i Policisë së Vlorës, Sokol Boden dhe Gjergj Kohilën ish-oficerë policie, akuzohen për “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.

Prokuroria bazohet në katër episode për akuzat ndaj Tahirit, 2013, 2014 dhe 2015, dy prej të cilave janë më 2014. Sipas prokurorëve të çështjes, gjatë këtyre muajve hetime, ka rezultuar se ish-ministri në bashkëpunim edhe me tre ish-zyrtarin e Policisë së Shtetit, Jaeld Çela, kanë lehtësuar me veprimet dhe mosveprimet e tyre veprimtarinë kriminale të grupit të drejtuar nga vëllezërit Habilaj, të afërm të ish-ministrit. Tahiri ka mohuar të ketë njohje me vëllëzerit Habilaj. Ai ka pranuar vetëm se iu ka shitur makinën.

Gjykata e Krimeve të Rënda ka pranuar më parë kërkesën e ish-ministrit për gjykim të shkurtuar. Pas kësaj seance, pritet të ketë edhe dy seanca të tjera: një për avokatët që bëjnë mbrojtjen dhe e fundit për gjykatën që shpall vendimin, duke eliminuar kështu debatin gjyqësor.

SHKARKO APP