30 dhjetori i vitit të kaluar, dita e turpit për shtetin shqiptar!

Nga Ilir Demalia

Me 30 dhjetor ishte 85 vjetori i shkuarjes ne AMSHIM, heshtje totale, nga shteti, kisha, shoqeria per Viganin e Veriut.

Çdo 30 dhjetor Shqipnia duhet me ulë kryet. Jo prej dhimbjes. Por prej turpit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Sepse çdo vit që kalon pa e vendosë At Gjergj Fishtën në vendin që i takon, asht nji akt i ri poshtnimi ndaj ndërgjegjes kombtare.

Swiss Digital Mobile Reklama

At Gjergj Fishta nuk ishte thjesht poet. Ai ishte alfabeti, ishte zani i kombit në Evropë, ishte mendja që e nxori Shqipninë prej lindjes orientale e e drejtoi kah Perëndimi. Pa Fishtën nuk ka Manastir. Pa Manastirin nuk ka gjuhë të njësueme. Pa gjuhë nuk ka shtet.

E megjithatë, shteti shqiptar sot sillet sikur Fishta asht problem, jo themel.

Regjimi komunist e bani krimin: ia shkatërroi varrin, ia ndaloi veprën, ia fshiu emnin. Por ajo që ndodh mbas vitit 1990 asht edhe ma e randë. Sepse tash nuk kemi diktaturë. Kemi institucione. Dhe këto institucione kanë zgjedhë heshtjen.

Akademia hesht. Ministria e Kulturës hesht. Arsimi e trajton Fishtën si fusnotë. Qeveritë ndërrohen, por frika prej Fishtës mbetet. Sepse Fishta nuk asht neutral. Fishta kërkon komb. Kërkon shtyllë kurrizore. Kërkon përgjegjësi historike.

“Lahuta e Malcís” nuk asht thjesht vepër letrare. Asht akt politik kombtar. Prandaj u luftue. Prandaj u përbalt. Prandaj ende sot shmanget. Në këtë vend, gjithçka që flet fort për kombin quhet “problem”.

Fishta u nderue nga Evropa, nga Papa, nga akademi të hueja, u propozue për Çmimin Nobel. Shqipnia? Shqipnia nuk i ka dhanë as nji monument dinjitoz. As nji muze shtetnor. As nji ditë zyrtare përkujtimi. As nji vend të merituem në programet shkollore.

Kjo nuk asht rastësi. Kjo asht vazhdimësi.

Vazhdimësi e nji mentaliteti që ka frikë prej madhështisë. Që ndihet i vogël përballë figurave të mëdha. Që parapëlqen mediokritetin, sepse mediokriteti nuk akuzon.

At Gjergj Fishta tha para se me vdekë:

“Kombi ka të drejta mbi mue.”

Sot duhet thanë e vërteta e randë:

Shteti shqiptar po ia shkel këto të drejta.

Deri kur Shqipnia të ketë guxim me u përballë me Fishtën, ajo nuk ka me u pajtue as me historinë e vet, as me Europën që pretendon.

30 dhjetori nuk asht veç përvjetor vdekjeje.

Asht provë ndërgjegjeje.

Dhe deri sot, Shqipnia ka dështue.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?