Sot priten zhvillime nga Italia për dosjen e grupit “Tahiri-Habilaj”

Sot në Itali ndodhen dy prokurorë shqiptarë të cilët po marrin në pyetje grupin Habilaj.

Moisi Habilaj, i arrestuari krysor, si pjesë e përgjimeve të çështjes Tahiri po pyetet nga prokurorët Besim Hajdarmataj dhe Vladimir Mara.

Hajdarmataj, i cili është dhe kreu i grupit të hetimit për çështjen e ish-ministrit Saimir Tahiri, udhëtoi mbrëmjen e djeshme drejt Katanias. Nën masa sigurie nga policia italiane dy prokurorët shqiptarë janë shoqëruar në qelitë e burgut ku ndodhen grupi Habilaj. Por do merren gjithashtu në pyetje edhe Nezar Seiti e Maridian Sulaj. Objektivi parësor i prokurorëve është sigurimi i informacioneve të nevojshme mbi hetimin e nisur në anën tjetër të Adriatikut, që ka lidhje me ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i vendosur nën akuzë, e më pas në arrest shtëpiak, duke rifituar lirinë.

Moisi Habilaj konsiderohet nga Prokuroria e Katanias si truri i narkotrafikut dhe armëve të zjarrit nga Shqipëria drejt Italisë. Trafik ky që ofronte dhjetëra milionë euro, të cilat do të ndaheshin në të njëjtën tryezë mes shqiptarëve dhe pjesëtarëve siçilianë të “Cosa Nostra”-s. Nuk dihet akoma se ç’po deklarojnë ata për llogari të prokurorisë shqiptare, por dihet se ka tension të madh në mazhorancën qeverisëse në Tiranë. Në qeveri dhe kryeministri janë sy e veshë se çfarë do deklarojë Habilaj për lidhjet e tij me qeverinë qendore.

Prokurorët shqiptarë do qëndrojnë dy ditë në Itali dhe më pas, në raport me dëshmitë e tyre do të vendosin për hapat e mëtejshme. Mësohet se grupi hetimor po pret edhe përgjigjet nga pala greke për lëvizjet e ish-ministrit Tahiri në shtetin grek.

SHKARKO APP