5 pyetje nga Carlo Bollino dhe 9 pyetje nga “Koha Jone” për Ardit Gjebrea
Në ortekun e polemikave që shkaktoi intervista e Marjan Rrokut, vrasësit, i cili ka pranuar vetë krimin e kryer ndaj Aldës 16-vjeçare dhe nënës së saj që përpiqej ta mbronte të bijën duke goditur kriminelin me çantë, sigurisht ka shumë moralizma dhe një det retorikash. Për fat të keq, me këtë intervistë, Ardit Gjebrea e katandisi televizionin shqiptar në atë nivel trash-nacional-popullor, ku ai prej vitesh ka arritur edhe në vende të tjera, duke filluar nga Italia.
Intervistat skandaloze të Barbara d’Ursos në Canale 5 (as ajo nuk është gazetare) kanë skandalizuar edhe italianët, megjithëse, në fund të fundit, kanë qenë me miliona ata, që janë ngulur para ekraneve për t’i dëgjuar. I gjithë reportazhi i Gjebresë, i montuar si një film horror, është një mizanskenë plot falsitete, duke filluar nga një kronikë e rreme direkte e hyrjes së tij në burgun e Fushë Krujës, brenda të cilit shihet qartë se ishin vendosur më parë dy telekamera të tjera të Klanit.
Por ka disa gjëra të tjera në intervistën e vrasësit Rroku që, sipas mendimit tonë, janë me të vërtetë të rënda, nga të cilat dalin disa pyetje për Ardit Gjebrenë.
E para është “koinçidenca” ne kohe mes intervistës dhe procedurave gjyqësore të ndërmarra nga Rroku, i cili pikërisht dy javë më parë ka bërë rekurs në Gjykatën Kushtetuese, duke kërkuar anulimin e procesit (një detaj shumë i rëndësishëm, por për të cilin nuk përmendet absolutisht asgjë në intervistë).
Këtu lindin dy pyetjet e para për Ardit Gjebrenë. A ishte ai i informuar për një gjë të tillë? A ishte i ndërgjegjshëm që ai reportazh, i realizuar në këtë moment, mund të influencojë vendimin e gjyqtarëve (përfshirë edhe ata të Gjykatës te Larte), të cilët, pikërisht këto ditë po vendosin mbi fatin e Rrokut?
Momenti i dytë i rëndë është rikonstruksioni rrëfyes i bërë nga Gjebrea. I gjithë reportazhi, planet e para, montazhi, muzika, kanë një qëllim të vetëm: të të mallëngjejnë. Gjithshka është ndërtuar në mënyrë që të zbutet dhe të bëhet njerëzore figura e një vrasësi, që vrau me gjakftohtësi nënë e bijë.
Për të arritur tek akti teatral i Gjebresë, që emicionohet, derisa të derdhë lot të vërtetë, të cilat, në vend që të fshihen për arsye turpi në fazën e montazhit, amplifikohen me pamje me shpejtësi të ngadalësuar dhe me muzikë plot pathos. A ka qenë Ardit Gjebrea ai që ka kërkuar të evidentojë lotët e tij në montazh? Dhe pse nuk e ka fshirë? Kush ishte vlera e tyre artistike, veçse ajo, që të përpiqej ta transformonte Rrokun, nga xhelat, në viktimë?
Momenti i tretë i rëndë është ai, që Marjan Rrokut i është dhënë mundësia të gënjejë pa u kundërshtuar nga askush. Të dëgjosh vrasësin “stalker” të thotë se ishte Alda e vogël ajo që i binte në qafë “duke e puthur në rrugë”, ndërkohë që ai e konsideronte “vetëm si një motër të vogël”, kjo është diçka që të neverit.
Është i njejti argument, që zakonisht përdorin përdhunuesit për të shpëtuar nga dënimi: vajza donte vetë. Por, të paktën, procese të tilla zhvillohen me dyer të mbyllura, jo në një televizion kombëtar në kohën kur ka dëgjimin maksimal.
Para se të intervistonte Marjan Rrokun, Ardit Gjebrea të paktën kishte lexuar dokumentacionin e procesit gjyqësor? Kishte studjuar në të për të kuptuar se për çfarë ishte akuzuar me të vërtetë vrasësi? Dhe, si pati kurajon për të mos reaguar përballë tentativave për të shpifur kundër viktimave? Kush tjetër veç tij, Gjebresë, duhej të përpiqej të mbronte kujtimin e tyre, duke iu kundërvënë vrasësit, të paktën përballë kësaj?
Momenti i katërt i rëndë është konkluzioni skandaloz, në të cilin Gjebrea, shtrirë në një krevat marinarësh në qelinë e vrasësit, arrin, në një atmosferë të tipit “Bidai”, ta shqiptojë: “Nga të gjitha këto, mendoj se Marjani është penduar dhe për këtë duhet të dalë nga burgu”. Kjo, sipas mendimit tim, është një frazë shokuese, e cila e kthen intervistuesin në një bashkëfajtor moral të vrasësit të intervistuar, një grackë kjo, në të cilën një gazetar nuk duhet të bjerë.
Po Arditi, duke shqiptuar këtë frazë, që ështe destinuar qartazi në adresë të gjyqtarëve, të cilët, në javët në vazhdim, do të vendosin mbi fatin e Rrokut, a ka menduar ndopak për njerëzit e familjes të të dy viktimave?
Edhe po të shpjegohen këto kater skandale horror të para në televizion, duke menduar se Ardit Gjebrea do të kishte vullnetin të jepte sqarime, duke iu përgjigjur pyetjeve tona, më mbetet prapë një pyetje e pestë, për të cilin, ama, nuk i takon vëtëm Arditit të japë shpjegime: Në cilin burg të botës mund të shihet një drejtor ta përqafojë miqësisht një të dënuar me burgim të përjetshëm?
Drejtori i burgut përfaqëson shtetin dhe minimumi që mund të pretendohet prej tij është sjellja e qytetëruar ndaj vrasësit, por, mbi të gjitha, respekti ndaj kujtimit të viktimave të tij. Ai përqafim i vrasësit, në sfond të një buzëqeshjeje të kënaqur të prezantuesit dhe para telekamerës, tregon, në të kundërt, një nivel solidariteti maskilist, që përfaqëson një tjetër njollë të turpshme në këtë ngjarje të trishtuar.(shqiptarja.com)
Shenim i redaksise se www.kohajone.com
Kjo intërvistë e Ardit Gjebreas ka ngjallur shumë komente në media dhe në rrjetet sociale. Redaksia për hir të korrektesës profesionale pret edhe reagimin e Ardit Gjebreas për ta publikuar ose nëse pranon po ia nisim publikisht disa pyetje për të cilat ai ka nevojë të shpjegohet, pasi mbetet personash publik në një TV të madh kombëtar
Pyetje 1:A ishte i gjithë skenari juaj një lojë fine për të bërë presion mbi Gjykatën apo ishte ofertë e gjykatësve që të justifikonin vendimin që kanë parapërgatitur?
Pyetje 2: Nëse ju do të ishit gjykatës si do të vepronit përkundrejt dy vrasjeve të tij?
Pyetje 3: A e keni lexuar më parë dosjen e tij gjyqësore ?
Pyetje 4:A do të ishte më mirë të kishit transmetuar në të njëjtën ditë edhe intërvistën me palën e vrarë, pra me familjarët e tyre?
Pyetje 5: Gjesti i drejtorit të burgut që rrok të dënuarin për dy vrasje ishte skenar i joti apo instiktivisht e bëri drejtori?
Pyetje 6: Kur ju u ulet në krevatin e tij dhe thatë se ” është penduar dhe duhet të dalë nga burgu” a menduat në atë moment se poshtë tokës ku ju ishit në atë regjistrim dergjen dy jetë njërëzish, tashmë në botën tjetër?
Pyetje 7: Pas reagimeve në media dhe në rrjetet sociale a jeni penduar për atë intervistë?
Pyetje 8: Ju jeni një emër i madh në botën e artit dhe medias televizive, ndaj keni ndjesinë se keni marrë nota negative në një ditë transmetimi kur keni një jetë që vetëm duartrokiteni ?
Pyetje 9: E fundit, ua sugjeruan këtë intervistë dhe nëse “po”, kush?