A dini gjë ku është Majko? Ka humbur që nga nata e enjte pasi acaroi Ramën
Natën e votimit të projektligjit për shëmbjen e Teatrit Kombëtar, ra në sy sherri live në seancë mes kryeministrit Rama dhe ministrit të Diasporës, Pandeli Majko. Videot e transmetuara tregojnë mimikat dhe gjestet e tyre se si shanin dhe kundërshtonin njëri tjetrin, live. Pandeli Majko doli nga salla dhe nuk votoi. Nuk e çau kokën edhe për kërcënimet e kryeministrit, por ruajti dinjitetin e tij personal dhe politik.
Të nesërmen, siç njoftoi Top Channel, ministri Majko ka paraqitur te drejtoresha e kabinetit të kryeministrit, zonja Vali Bizhga, dorëheqjen nga ministër. Mësohet nga burime kryeministrore se Edi Rama nuk e ka pranuar dorëheqjen, duke e lenë atë prapë në zyrën me kondicioner të ministrisë e cila vetëm ministri nuk është, pasi ka katër punonjës, një sekretare dhe një shofer.
Burime të rezervuara tregojnë se nga dita e enjte Pandeli Majko nuk ka shkuar më në zyrën e ministrit. Pas seancës parlamentare, ku ai e braktisi votimin hapur, Majko vrapoi për në zyrën e tij duke marrë plaçkat dhe sendet e tija personale. Ka ikur për të mos u kthyer ministër, siç edhe ka dhënë dorëheqjen. Kështu thonë në ministrinë e tij, kur iu kërkohet për vendndodhjen e tij.
Kryeministri e ka quajtur sfidë të hapur gjestin politik të ministrit Majko dhe po mundohet që t’ia kthejë mendjen për të mos u larguar nga qeveria. Jo se i hyn në punë, por si imazh e dëmton kryeministrin dhe PS-në. Majko njihet si ish-kryeministër dy herë dhe politikan me ndikim të madh në bazën socialiste.
Ndaj iu duhet, sidomos para zgjedhjeve vendore. Kryeministrit nuk ia ka hapur fare telefonin Pandeli Majko, ndaj Edi Rama ka dërguar dy biznesmenë të fuqishëm për t’ia ndërruar mendjen. Nuk dihet fuqia magjike e biznesmenëve, por të njëjtat burime tregojnë se trokitja e njeri biznesmen ndërtimi ka qenë e shoqëruar me një çantë serioze…
Deri tani Pandeli Majko nuk ka sqaruar publikun për vendimin e tij politik. Ai mbetet figurë e lartë e lidershipit socialist ndaj ka detyrimin që të shpjegojë për votën të cilën nuk e dha për projektligjin, që do të thotë se ishte votë kundër. Majko ka detyrimin të shpjegojë se çdo bëjë me karriken e tij ministrore apo edhe nëse ka ndërruar mendje që të rrijë prapë në qeveri, pas kërcënimit të kryeministrit dhe takimeve të biznesit, pra pse ndryshoi mendje.
Ai nuk është ministër dosido në sensin e vlerës politike. Natyrisht pesë vartës urdhëron sa një shef sektori në Bilisht, por prapë duhet të rrëfehet.
Ai është Pandeli Majko, njeriu i historisë së PS dhe jo i Rilindjes.
S.P.