Sot opozita në aksion për bllokimin e rrugëve
Opozita ka lajmëruar një protestë kombëtare sot, e enjte datë 5 prill, duke njoftuar se do të bllokojë disa akse rrugore si pjesë e mosbindjes civile.
Do të jenë dhjetëra qytetarë, të cilët të mbështetur edhe nga PD-ja dhe LSI do të bllokojnë kryqëzimin e Milotit i cili lidh Tiranën me Shkodrën, por edhe Rrugën e Kombit me Tiranën dhe Durrësin.
Po ashtu, opozita ka vendosur që pjesë e kësaj bllokade të jenë edhe kryqëzimi i Çermës në Lushnje që bllokon lëvizjen në jug të vendit, kryqëzimi i Vorës dhe kryqëzimi i Bradasheshit në Elbasan.
Policia e shtetit thotë se nuk ka marrë asnjë njoftim ligjor për protestën dhe sipas saj, “mbështetur në ligjin “Për tubimet”, nuk mund të lejojë protesta të askujt, që në emër të lirisë së tubimit, cenojnë lirinë e sigurinë e të tjerëve”.
Mësohet se është dhënë urdhër për arrestime ndaj kujtdo që bllokon rrugët. Edhe nëse ka deputetë apo politikanë të cilët do jenë pjesë e skenarit të bllokimit të rrugëve do të arrestohen, thonë burime kryeministrore.
Lulzim Basha ka deklaruar se “hajdeni e më arrestoni edhe mua”, dhe duket se do ti buzëqesh fati këtë të enjte, pasi sipas policisë do të arrestohet sejcili që bllokon rrugët. Një rrugë do bllokohet nga Lulzim Basha dhe militantët e tij. Mbetet të shikojmë a do ti arrestojnë Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin, nëse bashkë me protestuesit bllokojnë rrugët?
DEKLARATË E POLICISË SË SHTETIT PËR PROTESTËN E SË ENJTES
Siç është bërë e njohur në media, disa parti opozitare kanë lajmëruar se në datën 5 prill, do të zhvillojnë një protestë, shoqëruar me bllokimin e disa akseve rrugore kombëtare.
Policia e Shtetit nuk ka marrë njoftim ligjor për protestën dhe mbështetur në ligjin “Për tubimet”, nuk mund të lejojë protesta të askujt, që në emër të lirisë së tubimit, cenojnë lirinë e sigurinë e të tjerëve.
Zhvillimi i protestës së paralajmëruar mediatikisht, për vetë natyrën e saj përbën një cënim të rëndë të ligjit, të rendit publik dhe lirisë e sigurisë së çdo qytetari, që ka të drejtën të përdorë hapësirat e pushtuara nga një protestë e tillë.
Organizatorët e kësaj proteste të paligjshme do të përballen me ligjin për çdo pasojë të paparashikuar, që mund të sjellë një protestë e organizuar për të nxitur rrëmujë dhe konflikt në pika nevralgjike për qarkullimin e njerëzve dhe mjeteve.
Policia e Shtetit njeh dhe respekton si të paprekshme të drejtën për të protestuar. Por ajo ka përgjegjësi ligjore, si dhe gatishmërinë për të mos lejuar cënimin e interesit të qytetarëve.
Policia e Shtetit u bën apel të gjithë qytetarëve të mos bien pre e një politike të angazhuar për të goditur ligjshmërinë dhe institucionet e vendit, duke dëmtuar interesat e njerëzve e të vetë vendit.
Zhvillimi i një proteste të paligjshme mund të përdoret nga elementë me precedentë kriminalë dhe të nxitur a të paguar për të krijuar paqëndrueshmëri shoqërore.
Policia i bën thirrje çdo qytetari të mos bëhet pjesë e kësaj proteste të paligjshme dhe me rrezik për rendin e sigurinë.
Gjithashtu Policia e Shtetit i kërkon paraprakisht ndjesë çdo qytetari, për çdo rast kur nuk do te mund t’i shërbejë si duhet lirisë se qarkullimit.