A doni azil në Britani? Kryeministrja e re vendos që azilantët t’i dërgojë në Ruanda, Afrikë!
Nga DW-
Ashtu si Britania e Madhe edhe Danimarka do t’i dërgojë në Ruandë azilkërkuesit, që aplikimet e tyre të shqyrtohen në këtë vend afrikano-lindor dhe jo në Danimarkë. Qeveritë e të dy vendeve nënshkruan deklaratën politike.
Danimarka po avancon me planet për dërgimin e azilkërkuesve në Ruandë. Qeveritë e të dy vendeve ranë dakord përmes një deklarate politike, që thekson dëshirën për forcimin e bashkëpunimit në politikën e azilimit dhe migracionit.
Të dy vendet e konsiderojnë sistemin aktual të azilmit si jofunksional, deklaroi Ministria daneze për të Huajt dhe Migracionin. Për këtë nevojiten zgjidhje. Një ndër zgjidhjet është përpjekja e përbashkët për një mekanizëm për dërgimin e azilkërkuesve nga Danimarka në Ruandë, në mënyrë që të shqyrtohet atje procesi i aplikimit për azil dhe krijimi i mundësisë për mbrojtjen e tyre.
Shumica në parlamentin danez në korrik 2021 miratoi një ligj, që mundëson hapjen e qendrave të azilimit në vende të tjera. Në këtë mënyrë autoritetet mund t’i transferojnë azilkërkuesit në vende të treta, ku ata të presin deri në shqyrtimin e kërkesës së tyre në Danimarkë. Komisioni i BE-së e kritikoi këtë projekt dhe bëri të qartë atëherë, se mund të ndjekë edhe hapa ligjorë, në rast se këto plane zbatohen.
Pakti britanik për azilin me Ruandën
Edhe Britania e Madhe ndjek plane të ngjashme me Ruandën. Gjykata e Lartë në Londër, High Court, ndërkohë është duke shqyrtuar paktin e diskutueshëm britanik me Ruandën. Kjo marrëveshje parashikon, që njerëzit, të cilët kanë hyrë ilegalisht në Britaninë e Madhe pavarësisht prejardhjes së tyre dhe pa iu shqyrtuar kërkesën për azil të dërgohen në Ruandë. Atje atyre duhet t’u jepet mundësia të aplikojnë për azilin.
Nëse atyre u takon e drejta e azilimit, ata duhet të qendrojnë në Ruandë. Në rast të kundërt ata i kërcënon kthimi në atdhe. Organizata e Ndihmës për Refugjatët e OKB-së i konsideron këto plane si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ipeshkvët e Anglisë e quajnë këtë “një turp për Britaninë e Madhe”. Shumë azilkërkues si dhe organizatat e refugjatëve kanë ngritur padi kundër qendrimit të qeverisë britanike.
Me këtë plan synohet që të stepen njerëzit për të mos ndërmarrë hapa për hyrjen ilegalisht në Britaninë e Madhe. Deri tani sidoqoftë asnjë emigrant nuk është dërguar në Ruandë: Në qershor një fluturim i planifikuar për këtë qëllim u pezullua bazuar në një gjykim të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Kryeminstrja e re britanike Liz Truss, e cila deri tani ka qenë ministre e Jashtme, premtoi, se megjithatë do t’u përmbahet këtyre planeve.