A duhet besuar misioni EURALIUS? Ndryshoi në përkthim ligjin e Vetingut
Ka ndodhur një “lapsus” gjoja në përkthimin e ligje të Reformës. Mësohet se EURALIUS (Misioni Europian) nuk ka ndryshuar vetëm përmbajtjen e ligjit të Vetingut në variantin në anglisht, por edhe atë të ndryshimeve kushtetuese të 21 korrikut.
TV Klan ka siguruar ndryshimet e dy varianteve, që u konstatuan nga Partia Demokratike. Në nenin B të kushtetutës, në variantin shqip thuhet se Operacioni ndërkombëtar e monitorimit i jep rekomandime Kuvendit lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidateve për pozicionin e anëtarit të komisionit, gjyqtarit te kolegjit të apelimit dhe komisionerit publik.
Ne variantin anglisht të EURALIUS, i shtohet pjesa, “sipas atyre që parashikon ligji”. Por kjo shtesë, e shtuar në kushtetutën në anglisht, të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit të Venecias, sipas opozitës, i jep kuptim tjetër nenit.
Në nenin C , në variantin shqip thuhet se Komisioni dhe Kolegji i Apelimit publikojnë vendimet e tyre si dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm të marrë nga publiku. Në versionin anglisht thuhet se informacionet e nevojshme të marra nga publiku mund të merren në konsideratë.
Në ligjin e shumëdiskutuar të Vetingut, në nenin 8 në variantin shqip thuhet se Lista për votim përmban kandidatë të cilët plotësojnë kriteret formale, përveç atyre që nuk janë rekomanduar nga operacioni ndërkombëtar i monitorimi. Në variantin anglisht të Euralius, thuhet “përveç atyre që janë rekomanduar”. Pra është hequr fjala Nuk, çka i jep tërësisht tjetër kuptim këtij neni.
Në nenin 33 në lidhje me hetimin e pasurisë thuhet se ILDKPKI, mund të kërkojë nëpërmjet drejtorisë së përgjithshme të parandalimit të parave ose ministrisë së drejtësisë, dokumente që përdoren jashtë shtetit nga subjektet e rivlerësimit dhe personat e lidhur me ta… Në variantin anglisht kjo fjali është hequr.
Në nenin 33 në shqip thuhet se kontrolli i figurës zhvillohet bazuar në prova të sakta. Në anglisht thuhet sipas provave më të sakta, duke e relativizuar saktësinë e provës.
Në nenin 49 procesi penal shndërrohet në proces rivlerësimi, përsa i përket deklaratës së dhënë nga dëshmitari apo eksperti.
Në 14 nene të Ventingut dhe tre nene të kushtetues, sipas opozitës, ka ndryshime thelbësore qe tjetërsojnë kuptimin dhe veprimin e ligjit. Për ketë arsye, opozita iu drejtua gjykatës kushtetuese për ta ripërkthyer ligjin dhe për t’ia dërguar serish komisionit te Venecias.