A është Elvana Gjata shkaku i sherrit që solli tragjedinë në Bllok?

Policia ka dhënë detaje për ngjarjen e rëndë që ndodhi dje në zonën e ish-Bllokut në Tiranë, ku u vra një person dhe mbetën të plagosur dy të tjerë. I vrarë mbeti Fabiol Gaxha, ndërsa u plagosën Ervis Martinaj me Laert Haton. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur pas një konflikti që Ervis Martianj, Laert Hato, Fabiol Gaxha patën me tre persona të tjerë në lokal, Ervin Mata, Fabiol Alushi dhe Merviol Bilo.

Ervis Martinaj me Laert Haton dy personat e plagosur janë arrestuar sot nga Policia, ndërkohë që vijojnë të marrin ndihmën mjekësore në spital. Ndërkohë Ervin Mata, Fabiol Alushi dhe Merviol Bilo janë shpallur në kërkim.

Motivet e ngjarjes dhe këngëtarja Elvana Gjata

Zyrtarisht Policia e Shtetit nuk ka dhënë detaje mbi motivet e ngjarjes. Por dyshimet e para për motivet e ngjarjes e lidhin sherrin me këngëtaren e njohur Elvana Gjata, e cila është e dashura e Ervin Mataj, një prej personave protagonistë në ngjarjen e djeshme. Për pasojë mes dy grupeve të personave që ndodheshin në lokal ka nisur përplasja fizike. Më pas Merviol Bilo një nga personat që ndodhej me Ervin Mataj dhe Elvana Gjatën në lokal ka qëlluar me armë duke lënë një të vrarë dhe dy të plagosur.

Policia thotë se njoftimin zyrtar se të 6 personat, “mbrëmjen e djeshme në rrugën “Ibrahim Rugova”, janë konfliktuar në ambientet e brendshme të një lokali, duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri -tjetrit. Si  pasojë e të shtënave mbeti i vrarë shtetasi Fabiol Gaxha dhe u plagosen Ervis Martinaj dhe Eljon Hato. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar armë zjarri tip “Glock”, 11 gëzhoja, 10 mije euro, tre automjete, aparate celulare”.

Viktima Fabjol Gaxha

Sipas dyshimeve, këngëtarja ka qenë shkak i një konflikti mes dy palëve disa ditë më parë, ndërsa mbrëmë ata kanë pasur si qëllim sqarimin për këtë konflikt.

Por debati është agravuar deri në përdorimin e armëve. Në polici janë shoqëruar mbi 20 persona për t’u marrë në pyetje lidhur me rrethanat e krimit, apo autorët e mundshëm.

Ervis Martinaj

Si ndodhi vrasja dhe plagosjet

Veç 20 dëshmitarëve që kanë dhënë detaje për mënyrën sesi ndodhi ngjarja, grupi hetimor që drejtohet nga prokurorja Elisabeta Imeraj dhe ka në përbërje edhe prokurorët Kreshnik Ajazi dhe Artan Lulo ka sekuestruar dhe kamerat e lokalit në zonën e ish-Bllokut. Nga të dhënat e siguruara deri tani nga policia, rezulton se e personi që qëlloi mbi grupin e Ervis Martinajt është një komando, Marvjol Bilo 41-vjeç. Në vendngjarje është gjetur pistoleta e krimit. Mesohet se Bilo ka qëlluar Martinaj që ndodhej në banak dhe duke e goditur me plumb në qafë, si dhe shoqëruesin tjetër të Martinajt, Laert Hato.

Një pjesë e personave të përfshirë në këtë ngjarje janë me precedentë penalë, të dënuar për disa vepra penale.

Pamje nga vrasja në Bllok

Forcat speciale, mbrëmë në Spitalin Ushtarak ku po kuroheshin të plagosurit

Deklarata zyrtare e Policisë së Shtetit

Zbardhet ngjarja e ndodhur mbrëmjen e djeshme ku në një lokal në rrugën “Ibrahim Rugova”, u plagosën me armë zjarri shtetasit E. M., 36 vjeç dhe E. H., 28 vjeç, si dhe mbeti i vrarë shtetasi F. G., 28 vjeç.

Arrestohen në flagrancë dy të plagosurit dhe shpallen në kërkim tre të tjerë. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale armë zjarri “Glock”, gëzhoja, shumë në euro, automjete e aparate celular.                                                        

Grupi i posaçëm hetimor i përbërë nga Specialistë të Taks Forcës Qëndrore, Specialistë të Policisë së Shtetit, Specialistë të Hetimit të Krimeve ndaj jetës dhe pronës në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e një grupi Prokurorësh të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve :

– Ervis Martinaj, 36 vjeç, banues në Tiranë

– Eljon Hato, 28 vjeç, banues në Shkodër

Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit :

– E. M., 31 vjeç, banues në Tiranë

– F. A., 42 vjeç, banues në Tiranë

– M. B., 41 vjeç, banues në Tiranë

Këta shtetas mbrëmjen e djeshme në rrugën “Ibrahim Rugova”, janë konfliktuar në ambientet e brendshme të një lokali duke qëlluar me armë zjarri në drejtim të njëri – tjetrit, ku si pasojë e të shtënave mbeti i vrarë shtetasi F. G., dhe u plagosën shtetasit E. M., dhe E. H., të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:

– armë zjarri tip “Glock”

– 11 gëzhoja

– 10 000 euro

– tre automjete

– aparate celular

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese, kundër dy ose më shumë personave e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit luftarak”, të parashikuar nga nenet 79/dh-25, 278 të Kodit Penal.

Policia në spitalin privat ku po kurohet një prej të plagosurve

SHKARKO APP