A është tërheqje e Lulzim Bashës nga qeveria teknike ky fjalim i sotëm?
Kreu i opozitës Lulzim Basha duke folur sot nga çadra tha se pranon dialogun, teksa po mbërrijnë dhe negociatorët ndërkombëtarë.
“Sot kemi shansin ta zgjidhim me dialog. Lulzim Basha në këtë dialog nuk përfaqëson veten e tij, as vetëm PD, as vetëm opozitën. Unë shkoj në këtë proces me vetëdijen e plotë se përfaqësoj interesat e një bashkimi të jashtëzakonshëm qytetar, më të madh popullor. Ndaj e kam shumë të thjeshtë të bëj kompromis, të gjej gjuhën e kompromisit politik për gjithçka që më takon mua dhe PD, po nuk bëj dhe nuk do të bëj asnjë tërheqje për gjithçka që i takon fateve të qytetarëve, të demokracisë shqiptare, të zgjedhjeve të lira e të ndershme. Zgjidhja që ne ofrojmë është zgjidhje e ndershme”, tha ai.
Ai tha se fundi nuk do të jetë votim pa opozitën por fitorja e kauzës. “Fundi nuk do të jetë votim pa opozitën, nuk do të jetë shpërndarje e popullit, fundi do të jetë fitorja e kuazës sonë të drejtë. Ndaj le të urojmë që sot arsyeja e shëndoshë të mbizotërojë dhe në mendjet e sëmura të pakicës që ka kapur peng popullin dhe do të marrë peng zgjedhjet. Ta urojmë, ta shpresojmë e t’i lutemi Zotit e për kundërshtarët tanë. Një gjë është e sigurtë përmes dialogut ose përballjes populli do të fitojë gjithmonë”, tha Basha.
Natyrisht kur flitet për dialog dhe marrëveshje historike përherë palët politike lëshojnë diçka nga kërkesat e tyre, pasi ndryshe nuk do quhej kompromis. Pak para ardhjes në Tiranë të negociatorëve të huaj, lideri i opozitës foli për shumë krime të qeverisë, por gjithçka e bëri për të thënë këto rrjeshta që nënvizuam më sipër.
Mos vallë Rama dhe Basha i kanë thirrur arësyes dhe gjejnë zgjidhje pa konflikt e destabilitet të vendit?
Shpresojmë që Zoti t’ju jap mend e arësye sot, të dyve!
Spiten Prulli