A ka “Ditmir” të tjerë në PS apo morën dhenë?
Ish-ministri i jashtëm Ditmir Bushati, që nuk pranoi të shiste Kosovën kur ishte ministër, pasi iu kërkuan që të ishte prapavijë e dyshes Thaçi-Vuçiç, ka filluar të flasë hapur kundër praktikave arrogante dhe uzurpuese për të marrë të gjitha pushtetit, pra kundër kryeministrit Rama. Natyrisht nuk ka dalë kundër PS-së, por po kritikon Rilindjen.
Edi Rama e shkarkoi edhe nga drejtues politik i qarkut Shkodër. E siç duket “moti” në mazhorancë nuk do ta vendosë as si kandidat për deputet në zgjedhjet e parakohshme apo të radhës.
Sapo Ditmir Bushati ngriti zërin në sallën e Kuvendit dhe në media për mënyrën se si po sillet qeveria, disa deputetë në PS filluan të thonin se “do ta përkrahim Ditmirin, pasi ka të drejtë”.
Filluan të mblidheshin në një lokal në periferi të Tiranës, dhe nga kryeministria shkuan mesazhet ndaj tyre se “mos shkoni pas kokës së prerë të Ditmirit!”.
Ndërkohë një grup deputetësh shprehen se praktikat e kryeministrit janë totalisht në kundërshtim me parimet e funksionimit të një partie dhe se keqqeverisja po shkatërron vendin. Por flasin nëpër kafene, ndërsa në parlament apo në forumet e PS-së nuk po gjejnë kurajo t’i thonë.
Edhe në PD, dukur në gusht 1992, Sali Berisha priste koka, por kishte aq shumë “koka” kundërshtarësh sa iu thye “shpata”.
A ka “ditmir” të tjerë PS-ja apo me kaq ishte oponenca ndaj Edi Ramës?